Elbasani i trondit mbrëmjen e djeshme nga një vrasje e tipit mafioz, në lagjen “Skënderbej” dhe ku mbeti viktimë Everest Çaka dhe u plagos me një plumb në dorë bashkëshortja e tij Silvana Çaka.

Burime jo zyrtare bëjnë me dije se Silvana Çaka ka dëshmuar para prokurorëve se sapo ka dalë nga shtëpia e prindërve bashkë me të shoqin, një makinë i ka goditur nga mbrapa.

Fillimisht thotë ajo ata kanë menduar se ishte thjeshtë një aksident dhe kanë ndaluar, por më pas një person i maskuar është afruar dhe i ka qëlluar.

Pistat e hetimit

Një vrasje e stilit mafioz ku të gjitha pistat të çojnë në një larje hesapesh dhe hakmarrje të mundshme. Këto janë dyshimet e para për atentatin bërë Everest Çakajt.

Disa vite më parë vëllai i Everest Çakës u vra në Itali. Në atë kohë u dyshua se autori i vrasjes ishte një person i njohur me pseudonimin Nel Çami. Pas pak kohësh familja Mahmuti, (Familja e Nel Çamit) prej 4 personash u vranë në Elbasan. Ngjarja ndodhi në vitin 2011, i vetmi i shpëtuar Nel Çami rezulton i zhdukur që prej asaj kohe.

Vrasësi u cilësua misterioz, por u dyshua se autor mund të ishte Everest Çaka, në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij. Dyshime të cilat nuk u faktuan kurrë. Në vrasjen e vitit 2011 mbetën të vrarë 2 vëllezërit e Nel Çamit, babai i tij dhe nusja e shtëpisë. Por kjo duket se nuk do të jetë pista e vetme që do të ndjekë policia.

Vrasja e Everest Çakajt mund të ketë lidhje edhe me vrasjen e djalit të hallës, Arjan Spahiu, i cili u vra në Belgjikë në nëntor të vitit 2020. Spahiu ishte i dyshuar si autor i vrasjes së Gëzim Alikajt disa vite më parë, edhe kjo një ngjarje e mbetur mister.

Ekzekutimi i Spahiut në Belgjikë solli në Elbasan pak ditë më parë një grup hetuesish dhe prokurorësh belg. Hetuesit belg kryen takime me zyrtarë të lartë të Policisë e Prokurorisë për të marrë informacione mbi Arjan Spahiun. Duket se të gjitha pistat rreth vrasjes së 41-vjeçarit në Elbasan të çojnë në larje hesapesh, ndërkohë policia e Prokuroria janë duke vijuar hetimet.

VERITAS.COM.AL