(FOTO: Qirjakos Amiridhis, ambasador i Greqisë në Brazzil)/

Agjencitë e lajmeve, para dy tre ditësh dhanë lajmin se “është zhdukur” ambasadori i Greqisë në Brazil. Mes një lajmi të shfaqur pa shumë burime dhe peshës që ka një ambasador në një shtet pritës, e vërteta u vu në dyshim; ose në dyshim me dashje për të mos e besuar.

Por lajmi konfirmohet si i vërtetë, fatkeqësisht.

Policia braziliane konfirmoi sot, të premten, se ambasadori grek në Brazil, Qiriakos Amiridhis është vrarë dhe pastaj është djegur në makinë, ku e dyshuar për këtë vepër është gruaja e tij.

Policia e Rio de Zhaneiros ka gjetur sot trupin e pajetë brenda një makine të djegur, e cila ishte marrë me qira nga ambasadori grek në Brazil, Qiriakos Amiridhis.

Edhe Ministria e Jashtme greke ka konfirmuar se trupi është i përfaqësuesit të vet diplomatik, i cili rezultonte i zhdukur prej paka ditësh.  59-vjeçari ishte zhdukur prej tre ditësh pasi udhëtoi drejt Rios nga Brasilia për festimet tradicionale të Vitit të Ri në plazhin e Kopakabanas.

Një pjesëtar i stafit të Ambasadës ka vazhduar të shkëmbejë mesazhe me numrin e ambasadorit edhe pas zhdukjes, pa qenë i sigurt nëse ishte duke komunikuar me shefin e tij.    Për herë të fundit ai është parë në periferinë e Rios, Nova Iguasu, ku u gjet dhe makina.  Kjo zonë famëkeqe për shkak të numrit të lartë të vrasjeve nga bandat e armatosura që e kontrollojnë terrenin, është bërë shpesh arenë pengmarrjesh të ngjashme.

Ambasadori e kishte marrë detyrën në fillim të vitit pasi kishte shërbyer në Libi.

/Veritas.com.al/