Lideri i Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” [SDP] në Kosovë, Oliver Ivanoviq, është sulmuar mëngjesin e së martës me armë zjarri, ku ka humbur jetën.

Lajmin e ka konfirmuar Ksenija Bozhoviq nga SDP. Sipas saj, sulmi ka ndodhur para zyrës së zotit Ivanoviq.

Burime të Gazetametro.net kanë treguar se ai ka marrë 4 plumba në një atentat të organizuar, ndërkaq ka ndërruar jetë pas disa minutash në spitalin e Mitrovicës në veri.

Kush e gjeti Oliverin të gjakosur?

Kolegia nga partia dhe bashkëpunëtorja e Oliver Ivanovic’it, Ksenija Bozovic thotë se askush nuk i ka dëgjuar të shtënat kur është vrarë Ivanovic dhe ka shtuar se e ka gjetur para zyrave të partisë fqinja e cila ishte duke u kthyer nga shitorja.

“Përgatitesha të shkojë në punë. Sekretarja ishte në zyrë. E ka gjetur fqinja e parë e cila kishte dalë të blejë bukë dhe kthehej nga shitorja. E ka parë të shtrirë para zyrës”, ka thënë Bozovic.

Pastaj, siç thotë, fqinja e ka lajmëruar sekretaren e cila e ka thirr emergjencën

“Gjithçka kishte ndodhur për dy, tre minuta. Nuk janë dëgjuar të shtënat… nëse janë katër, pesë plumba në të, janë gjetur tre gëzhoja”, ka thënë ajo.

E pyetur a ka pasur kërcënime për Ivanovic’in, Bozovic ka thënë se bashkëpunëtorët e tij nuk kanë ditur për këtë dhe se ai ishte njeri i cili i mbronte të tjerët dhe se kurrë nuk është ankuar.

“Asgjë nuk kemi ditur, por se vet situata si është zhvilluar, burgu, pastaj lirimi nga burgu, zgjedhjet… Në mes dite ta qëllosh njeriun i cili ishte nisur në punë. Njerëzit janë të shqetësuar. Nuk di se çfarë të them”, ka thënë Bozovic.

Forca të shumta policore….

Forca të shumta të njësisë speciale janë parë në vendin ku u vra ish-udhëheqësi i Iniciativës Qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”, Oliver Ivanoviq.

Aktualisht, në vendin e ngjarjes është duke u hetuar se si ndodhi vrasja. Derisa thuhet se i njëjti është vrarë me zhurmëmbytës.

Udhëheqës kosovarë por edhe serbë e kanë dënuar sulmin që rezultoi me fatalitet në veri të Kosovës. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Bashkimit Evropian.

Kush ishte Oliver Ivanoviç?!

I  lindur në Irzniq të Deçanit dhe i rritur në Gjakovë e Mitrovicë, karateisti Oliver Ivanoviq do të shndërrohej në liderin kryesor të serbëve të Kosovës pas përfundimit të luftës së vitit 1999.

Ai përfaqësonte një frymë të re në politikën serbe që në atë kohë përfaqësohej nga Zoran Xhnxhic. Ndërkombëtarët i kishin varur shpresat te ky politikan nga Mitrovica, por nuk do të vononte shumë dhe imazhi i tij do të plandosej për toke. Ivanoviq rezultoi se kishte marrë pjesë në masakra kundër shqiptarëve.

Oliver Ivanoviç lindi më 1 prill 1953 në fshatin Irzniq afër Deçanit. Ai mbaroi shkollën fillore dhe inxhinierike mekanike në Mitrovicë. Ishte kadet i Akademisë Ushtarake në Zagreb, por u largua pas tre vjetësh. Ai u diplomua nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Mitrovicë dhe u diplomua nga Fakulteti i Ekonomisë në Prishtinë.

Ka punuar në kompaninë transportuese të Mitrovicës ‘TransKosova’, në fabrikën e pllakave qeramike të Mozaikut dhe në zyrën e Hepokut në Mostar. Prej vitit 1991 deri në 1998 ai ishte kreu i qendrës sportive në Mitrovicë. Ai shërbeu si zëvendësdrejtor i përgjithshëm i kompanisë “Feronikel” nga Drenasi deri në 2004, kur u bë drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit për Kosovë.

Kur u formua Këshilli Kombëtar Serb në vitin 1999, Ivanoviq u bë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të tij për veriun e Kosovës. Prej atij vendi ai u zëvendësua në vitin 2001. Kur qeveritë e RFJ-së dhe të Serbisë formuan “Qendrën Koordinuese për Kosovën dhe Metohinë”, të emëruar si Shef i Shërbimit për Zhvillim Ekonomik dhe Rindërtim. Që nga viti 2008, ai ishte sekretar i shtetit në Ministrinë e Kosovës. Ai ishte anëtar i Partisë Social Demokratike që nuk ekziston më. Ai ishte një instruktor dhe një arbitër ndërkombëtar për karate. Ai ishte kryetar i klubit të karatesë “Trepça”.

Për një kohe të gjatë, ai konsiderohej si një prej politikanëve më të moderuar serbë të Kosovës. E madje, ndërkombëtarët kishin investuar goxha shumë tek ai. Ndryshe prej politikanëve tjerë serbë të Kosovës, Ivanoviq nuk hezitonte të merrte pjesë në konferenca bashkë me përfaqësuesit politikë të Kosovës, kurse gazetarëve gjithmonë u fliste shqip.

Por gjithçka do të shembej kur disa familje shqiptare dëshmuan se Oliver Ivanoviq kishte marrë pjesë në një masakër në Rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë.

Gjykata Themelore e Mitrovicës, në vendimin e 30 marsit 2016, e shpalli fajtor Oliver Ivanoviqin për veprën penale të Krimeve të Luftës kundër Popullatës Civile dhe ndaj tij e shqiptoi një dënim prej 9 vjet burgim.

Por në shkurt të vitit të kaluar e ndryshoi masën ndaj Ivanoviqit në burg shtëpiak.

Reagon Qeveria e Kosovës…

Qeveria ka dënuar ashpër aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.

Akti i vrasjes së Ivanoviqit, sipas Qeverisë, sfidon sundimin e ligjit dhe përpjekjet për vendosjen e rendit në gjithë territorin.

“Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Qeveria ka ftuar të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që t’i kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.

Veritas.com.al/