Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në një deklaratë për shtyp ka radhitur masat e marra për të përballuar tërmetin.

Duke specifikuar se nuk ka vend për panik në opinionin publik dhe se “fuqia e goditjeve ka një trend të dukshëm zbritës”, ministrja deklaroi se operacionit të kërkim – shpëtimit po i vjen drejt fundit, fatkeqësisht me kosto njerëzore “të paharrueshme” por edhe kostot “e jashtëzakonshme në shtëpi dhe banesa”, ku sipas saj janë dhjetëra pallate dhe qindra banesa që duhet të analizohen nga ekspertët.

Xhaçka nënvizoi faktin që ekspertiza amatoriale nuk duhet të bëhen nga banorët dhe se asnjëri nuk duhet të bëj ekspertin, nëse ka shtëpinë e dëmtuar, sepse “situata në banesat me strukturë të dëmtuar është po aq e rrezikshme sa ditën e parë”.

Pas vlerësimeve të ekzekutivit, “mbi 4 mijë banorë e kanë të pamundur të rikthehen në banesa”, por përtej dimensioneve, po merren masa konkrete, edhe jashtë Durrësit.

Sipas saj është ngritur kuzhina fushore në Thumanë dhe po montohet kuzhina tjetër në Bubq për përgatitjen e 10 mijë racioneve gjatë 7 ditëve, ndërkohë që do të ngrihen çadra për çdo familje në zonat rurale që nuk duan të shkëputen nga bujqësia dhe blegtoria.

VERITAS.COM.AL/