Policia ka arritur në  zbulimin e profilit gjenetik të AND-së së autorit të vrasjes së Komisarit, Artan Cuku më 8 prill në Tiranë- raporton nga Policia reporterja e Balkanweb. Profili gjenetik i zbuluar nga provat biologjike të gjetura në vendin e krimit, do të përdoret në hetime duke e krahasuar me profilet gjenetike të personave që po hetohen në 3 pistat kryesore ku është orientuar policia: vrasje për hakmarrje, për shkak të biznesit dhe për shkak të detyrës si drejtor policie në Vlorë.

Policia ka grumbulluar në vendngjarje edhe një numër të konsiderueshëm shenja gishtash, por këto nuk e kanë ndihmuar hetimin, pasi në hollin e pallatit ku ndodhi ngjarja, para policisë kishin qenë edhe të tjerë njerëz, të cilët kanë prekur dyert e ashensorit apo të derës së jashtme.

Paralelisht me provat e grumbulluara në vendngjarje policia po punon edhe me pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë. Këto pamje përveçse janë bërë publike në media po iu tregohen edhe të gjithë agjentëve kriminalistë të policisë dhe personave të cilët vuajnë dënimin me qëllim identifikimin e personit të shfaqur në video.

/Veritas.com.al/