Seanca Plenare e të martës së 3 majit do të shohë adresimin e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për Parlamentin e Shqipërisë, me anë të një videomesazhi.

Pas shumë mesazhesh virtuale të dërguara për vendet më të fuqishme të botës, tashmë presidenti ukrainas po merr iniciativën për adresimin e tij dhe të thelbit të çështjes së Ukrainës edhe karshi vendeve më të vogla, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Ndër fjalimet më emocionuese të Zelensky-t përpara ligjvënësve, ka qenë ai përballë senatorëve dhe kongresmenëve amerikanë, ku shfaqi për herë të parë edhe një video mjaft prekëse të të gjithë ngjarjeve që patën ndodhur në Ukrainë.

Në Parlamentin e Kanadasë, numri një i Kievit rroku duartrokitjet e gjithë deputetëve, teksa kryeministri Justin Trudeaux e quajti atë si “heroin e demokracive të Perëndimit”.

Me nisjen e agresionit rus në Ukrainë më 24 shkurt 2022, pak njerëz mendonin se pushteti do të ruhej nga Zelensky në Kiev.

Mirëpo, ai jo vetëm që tregoi se do t’i bënte ballë politikës “vrastare” të Vladimir Putinit, por edhe frymëzoi një popull të tërë dhe gjithë botën, në qëndresën e treguar ndaj ushtarëve rusë.

Në Bundestagun gjerman, ovacione shpërthyen për presidentin ukrainas, pasi ai vijoi të kërkonte me ngulm dënimin e Rusisë dhe sanksionimet e mëtejshme të Moskës për të mos i lejuar të vijojnë luftën.

Teksa, përtej video-mesazheve, ai ka pritur edhe disa vizita nga eksponentët më të lartë evropianë, ndër të cilët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, kryeministri britanik, Boris Johnson etj.

Së fundmi, ishin sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Austin Lloyd, ata të cilët e vizituan Zelensky-n në Kiev.

Ndërsa përpjekja e tij për t’i treguar botës dhimbjen e Ukrainës, të shkaktuar nga kjo luftë, vijon.