Shqiptarët e Maqedonisë kanë çelësin e Qeverisë së re të Shkupit. Pavarësisht se rezultatet e tyre krijuan pakënaqësi, pasi një pjesë e votave i shkuan partisë maqedonase të Zoran Zaevit, koalicioni i shumicës nuk mund të formohet pa një ose dy parti shqiptare.

Rezultatet e zgjedhjeve krijuan parashikime të shumta. Të dy partitë maqedonase deri në momentet e fundit po ndërronin vendet e fituesit dhe humbësit.

Zoran Zaev vërshoi nëpër qytetet e Maqedonisë duke shpallur fitoren, pasi kryesonte me dy deputetë.

Por rezultati i fundit i zgjedhjeve, kur janë numëruar shumica e votave dhe asgjë nuk mund të ndryshojë, tregon se fitues është Nikola Gruevski i VMRO-së, i cili fitoi 51 deputetë kundrejt 49 që fitoi Zaev, në Parlamentin me 120 vende.

Shqiptarët humbën 11 deputetë në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Rezultati i 5 listave shqiptare tregon se, Ali Ahmeti dhe “Bashkimi Demokratik për Integrim” kanë fituar 10 deputetë; “Lëvizja Besa” e dyta, që ka marrë 5 deputetë; “Aleanca për Shqiptarët” ka fituar 3 deputetë dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit ka fituar 2 deputetë.

Disa prej partive politike në Maqedoni shprehën pakënaqësi rreth parregullsive. Partitë shqiptare nuk kanë komentuar shumë dhe pritet konfirmimi i rezultatit për të parë nëse Nikola Gruevski do të arrijë të krijojë qeverinë.

/Veritas.com.al/