Republikanët dhe demokratët janë në një garë të ngushtë për kontrollin e Kongresit amerikan, ndërsa numërimi vazhdon pas zgjedhjeve afatmesme.

Republikanët janë të favorizuar për të fituar Dhomën e Përfaqësuesve, por lufta për Senatin është në teh të thikës.

Demokratët fituan një vend kyç në Senat në Pensilvani dhe rezultatet e disa garave të tjera të ngushta ende nuk janë shpallur.

Sondazhet e daljes sugjerojnë se ekonomia dhe inflacioni ishin shqetësimet më të mëdha për votuesit.

Edhe pse nga kjo duhet të kishin përfituar republikanët, ata nuk e kanë parë “valën e kuqe” të fitoreve që kishin shpresuar.

Kongresi amerikan përbëhet nga dy pjesë – Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 34 nga 100 vendet në Senat ishin në dispozicion. Anëtarët e Dhomës përfaqësojnë popullsinë e tyre lokale dhe Senatorët përfaqësojnë interesat e shteteve të tyre.

Megjithëse presidenti Joe Biden, një demokrat, nuk është në fletëvotim, zgjedhjet e ndërmjetme do të formësojnë fatin e agjendës së tij. Nëse demokratët humbasin kontrollin e Dhomës ose Senatit, republikanët do të jenë në gjendje të bllokojnë planet e tij.

Ish-presidenti Donald Trump, i cili pritet të njoftojë se do të kandidojë për president në vitin 2024, ka parë që disa nga kandidatët të miratuar prej tij, të dështojnë.

Në një nga garat më të ndjekura në Senat, demokrati i krahut të majtë John Fetterman – i cili po shërohet nga një goditje në tru – mundi mjekun e famshëm Mehmet Oz të mbështetur nga Trump në Pensilvani.

Një tjetër garë kritike për Senatin, midis demokratit Raphael Warnock dhe kundërshtarit republikan Herschel Walker në Gjeorgji, mund të përfundojë në një balotazh pas katër javësh nëse asnjëri nga kandidatët nuk merr më shumë se 50% të votave, një mundësi që duket e mundshme.

Rezultatet e garave të tjera kryesore të Senatit në Wisconsin, Arizona dhe Nevada janë gjithashtu ende në lojë.

Kjo do të thotë se vendimi se cila parti mban pushtetin në Dhomën e Epërme të Kongresit mund të mos dihet për disa ditë, apo edhe javë.