Kancelarja gjermane Angela Merkel së shpejti do të vizitojë Moskën dhe do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin,- ka thënë këshilltari i Kremlinit, Jurij Ushakov, siç raporton agjencia e lajmeve ruse ‘RIA Novosti’ duke mos dhënë detaje tjera.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov tha se zyra e Presidentit Rus do të publikojë datën e vizitës së Merkel në të njëjtën kohë kur ta bëjë njoftimin edhe kancelarja gjermane.

“Merkel dhe Putin natyrisht do të bisedojnë për Ukrainën”, tha Peskov.

Kancelarja Merkel nuk ka qëndruar në Moskë që nga data 10 maj 2015, kur tensionet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit ishin në maje për shkak të konfliktit në Ukrainë. Ajo nuk ka marrë pjesë as në shënimin e 70-vjetorit të fitores mbi Gjermaninë naziste. Përveç Merkel, shumica e vendeve perëndimore bojkotuan këtë manifestim në shenjë proteste ndaj aneksimit rus të Krimesë.

/Veritas.com.al/