Është zyrtare! Sara Khan dhe Angad Hasija, ose siç njihen në rolet e tyre në super serialin “Bidaai”, Sadna dhe Alek, do të vizitojnë Shqipërinë.

Lajmi konfirmohet nga Drejtori i Programacionit në Televizionin Klan, Albert Dumani, i cili për tvklan.al tha se ka biseduar personalisht me të dy aktorët, për të bërë të mundur ardhjen e tyre në vendin tonë.

Ndonëse ende nuk ka një datë zyrtare, Aleku dhe Sadna pritet të vizitojnë Shqipërinë brenda muajit Prill, koha kur seriali “Bidaai” do të vijë drejt fundit.

Dy aktorët janë shprehur tejet të lumtur për këtë ftesë dhe mezi presin që të vizitojnë Shqipërinë, ku ata kanë me mijëra fansa që i ndjekin çdo ditë në ekranin e Televizionit Klan.
Menjëherë pasi ka konfirmuar ardhjen e saj, vetë aktorja 26 – vjeçare Sara Khan, e ka ndarë këtë lajm me të gjithë ndjekësit në rrjete sociale ku shkruan:

“Mirmëngjes. Për të gjithë shqiptarët, ja ku vjen lajmi. Jam në bisedime me Tv Klan për të vizituar Shqipërinë. Shumë shpejt do të vij t’ju shoh. Faleminderit për dashurinë dhe vlerësimin. Ndihem e bekuar dhe mirënjohëse ndaj secilit prej jush për dashurinë që më jepni. Në pritje dhe entuziaste si të gjithë ju”, shkruan Sadna në postimin e saj.