-Pas shumë vitesh në kërkim, vetëm para pak ditësh është zbuluar ku jetoi në fshehtësi Dom Nikollë Gazuli, martir i krishtërimit-

Në janar të vitit 1945, Dom Nikollë Gazulli, asokohe famullitar i Shkrelit, në Malësinë e Madhe, përmes këmbanëve të kishës lajmëroi të gjithë zonën për vendosjen e një regjimi të ri në vendin tonë.

Që prej atij momenti, ai do të shpallej armik i regjimit komunist dhe për 14 muaj, Dom Nikolla do të përndiqej. Për t’i shpëtuar torturave çnjerëzore, ai u fsheh në një shpellë të zonës, e cila u zbulua rastësisht nga një banor i Shkrelit vetëm pak ditë më parë.

Kisha katolike kishte vite që kërkonte për ta zbuluar vendin ku Gazulli jetoi për 14 muaj.

Mëngjesin e 23 marsit të vitit 1946, Dom Nikollë Gazulli teksa doli nga kjo shpellë, u tradhtua dhe u vra nga forcat ndjekëse të regjimit komunist.

Ai ishte një intelektual i madh, studiues e specialist në albanologji si dhe bashkëpunëtor i ngushtë në ruajtjen e gjuhës shqipe me Dom Gjergj Fishtën dhe Dom Ndre Mjedën.

Fliste 5 gjuhë të huaja, studionte histori e linguistikë dhe nuk pajtohej me regjimin komunist; këto ishin arsyet se përse regjimi e shpalli si armik të popullit dhe e pushkatoi.

Veritas.com.al/