Ish-ambasadori i parë i Shqipërisë në Vatikan, Willy Kamsi ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në moshën 91-vjeçare, në qytetin e Shkodrës.

Ai u shqua për veprimtarinë e tij në fushën e arsimit, etnografisë, diplomacisë e bibliografisë.

Willy Kamsi lindi në Bari të Italisë në dhjetor të vitit 1926. Ai u rrit në mërgim, nga ku erdhi në Shqipëri në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, në qershor të vitit 1943. Familja e tij u vendos në kryeqytet, por mbarimi i Luftës do të sillte ndryshime të mëdha në jetën e tij. Edhe pse i ati, Gjoni, nuk ishte marrë gjatë Luftës me politikë, familja e tij në qershor të vitit 1953 dëbohet nga Tirana dhe detyrohet të shkojë në Shkodër.

Në vitet e egra të terrorit komunist në Shqipëri, Willy Kamsi, punoi si bibliotekar pranë Institutit të Lartë Pedagogjik në Shkodër, ku u vlerësua për përkushtimin e tij. Krahas punës së bibliotekarit, Kamsi është i njohur dhe për studimet e tij historike dhe bibliografike, duke botuar një seri artikujsh. Ai gjithashtu ka kontribuar në fushën e përkthimit.

Pas rënies së komunizmit, në vitin 1993, ai u emërua nga qeveria demokratike ambasadori i parë i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë. Kamsi qëndroi në këtë detyrë deri në dhjetor të vitit 1996, të cilën e kreu me përgjegjshmëri të lartë, duke nderuar Shqipërinë para përfaqësuesve të tjerë diplomatikë dhe para Selisë së Shenjtë. Në vitet e tjera të jetës Willy Kamsi iu përkushtua botimit të disa veprave të rëndësishme, si numrit të plotë të revistave “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Albania” e Konicës, “Shêjzat”, si edhe disa materialeve me rëndësi historike, si “Ditari” historik i Shuk Gurakuqit, “Kujtimet” e Gjon Kamsit, një përmbledhje e studimeve të tij historike, etj.

JETA E WILLY KAMSIT, SIPAS DËSHMIVE

-Djali i vetëm i Gjonit/Linit të Palokë Kamsit dhe Rozës së Pjetër Daragjatit-.

Willy u rrit në mërgim, prej nga erdhi në Shqipëri në kulmin e Luftës së Dytë Botnore, në qershor të vitit 1943. Shtëpia e tij në Bari ishte një votër e ngrohtë për patriotë dhe politikanë shqiptarë, aty u përshkuan: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, mons. Bumçi, dom Lazër Shantoja, Mustafa Kruja, Bahri Omari, Sotir Gjika, Xhevat Kortsha e shumë të tjerë.

Vendosja në kryeqytet dhe mbarimi i luftës do të sillnin ndryshime të papara në jetën e familjes Kamsi. Edhe pse i ati, Gjoni, nuk ishte marrë gjatë luftës me politikë, familja e tij në qershor të vitit 1953 dëbohet prej Tiranës dhe detyrohen të shkojnë në Shkodër. Vendi ynë asokohe kalonte vitet ma të stuhishme të terrorit të kuq, por intelektuali Gjon Kamsi, ekonomist për nga profesioni, i mbrujtur me ideale të larta dhe i pajisur me karakter të papërkulur nuk u ndal por e çoi zërin kundër padrejtësive të ndryshme siç ishte ideja e prishjes së varreve monumentale katolike të Shkodrës. Këta veprime do të pasoheshin prej bastisjesh dhe prej paralajmërimesh serioze.

Punoi si bibliotekar pranë Institutit të Naltë Pedagogjik në Shkodër.

Një prej miqve të tij më të mëdhenj, Át Viktor Volaj; ish-sekretar personal i Át Anton Harapit dhe komentues i Fishtës – çmonte tek Kamsi mendjen e tij logjike dhe kujtesën mirandoliane që i jepnin vlerë kërkimeve të tija të censhme në lëmin e historisë mesjetare. Por ai vlerësohej edhe për përkushtimin për me gjetë dhe me ble sa më shumë vepra për bibliotekën e Institutit.

Por krahas punës së bibliotekarit Willy Kamsi është marrë edhe me studime historike dhe bibliografike. Ka botuar një seri artikujsh, ka përkthyer vepra dhe ka disa punime të gatshme për botim. Mbas rënjes së komunizmit, në vitin 1993, ai u emërua prej qeverisë demokratike ambasador i parë i Republikës shqiptare pranë Selisë së Shenjtë. E kreu atë detyrë deri në dhjetor të vitit 1996 me një sens të lartë përgjegjësije. Edhe pse i trajtuar në mënyrë të padenjë prej qeverisë që përfaqsonte: pa rezidencë, pa përfaqsi, pa makinë, pa frak për të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare.

W. Kamsi e nderoi Shqipërinë përpara gjithë përfaqsuesve të tjerë diplomatikë dhe para Selisë së Shenjtë. Nuk u ankua asnjëherë dhe nuk foli asnjë gjysmë fjale kundër Shtetit që përfaqsonte por u mundua me e rritë ndjeshmërinë e qarqeve diplomatike ndaj çështjes shqiptare.

Willy Kamsi jeton në Shkodër i përkushtuar i tëri mbas botimit të disa veprave të randësishme siç është treguesi i plotë i revistave «Hylli i Dritës», «Leka», «Albania» e Konicës, «Shêjzat» si edhe i disa materialeve me rëndësi historike, siç janë «Ditari» historik i Shuk Gurakuqit, «Kujtimet» e Gjon Kamsit, një përmbledhje të studimeve të veta me karakter historik. Merret dhe me histori, monumente e arkeologji, me gjuhë shqipe, sidomos me etimologji të toponomastikës historike e fusha të tjera shkencore.

Kohët e fundit ka dorëzuar në shtyp përkthimin e veprës së Át Jak Marlekajt, profesor për shumë dekada në Universitetin e Barit, «Pjetër Bogdani dhe Shqipnia e kohës së tij» të pajisun me treguesin e plotë të emnave.

/Veritas.com.al