ABC News ka siguruar dosjen voluminoze prej 200 faqesh të SPAK lidhur me hetimin e aferës së ish kompleksit “Partizani”, për të cilën është arrestuar Jamarbër Malltezi, ndërsa janë vënë nën masën ‘detyrim paraqitje’ ish kryeministri Sali Berisha dhe biznesmeni Fatmir Bektashi.

Berisha pretendoi një ditë më parë, në konferencën që dha për mediat në orët e vona të së shtunës, se leja për kthimin e zonës nga sportive në zonë banimi ishte firmosur nga kryetari i bashkisë së asaj kohe. Por në dosjen voluminoze theksohet se leja për kthimin e sipërfaqes prej 0.7 hektarësh në rrugën “Frosina Plaku” nga zonë sportive në zonë banimi është firmosur nga vetë Sali Berisha, kryetar i KKRT-së.

“Por pavarësisht parashikimit të mësipërm ligjor, rezulton se premtimi i bërë në kontratën e sipërcituar, duket se është realizuar, pasi me vendimin nr.132 datë 08.06.2006 të kryetarit të KRRT-së, Bashkia Tiranë (nr. prot datë 28.06.2006) është vendosur ndër të tjera që, të miratohet kërkesa për ndryshim të destinacionit për zonën Rruga “Frosina Plaku” dhe rruga e Planit Rregullues nga zonë sportive në zonë banimi. Ky vendim hyn në fuqi pas miratimit nga KRRTRSH-ja.

Me vendimin nr.4 datë 21.11.2006 të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë “Për miratimin e ndryshimit në planin rregullues të Qytetit të Tiranës në lidhje me zonimin funksional për disa zona të qytetit” përfshihet dhe zona me sipërfaqe 0.7 ha në Rrugën “Frosina Plaku”, e cila ndryshohet nga “zonë sportive” në “zonë banimi”. Ky vendim është firmosur nga kryetari i KKRT-së, z. Sali Berisha.“, thuhet në dosje.

Gjykata vlerëson se ekziston mundësia që Berisha të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen apo asgjesimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, çfarë do të ndikonte në një hetim të mangët për sqarimin e plotë të faktit penal objekt gjykimi./abcnews.al