Laçi është tronditur nga krimi mëngjesin e sotëm. Ish polici i rrugores në Kurbin, Xhelal Reçi, 61 vjeç, është ekzekutuar më armë zjarri në orën 07:23 sapo doli  nga makina e tij tip ‘Benz’ për të hapur bizneset e tij, i cili kishte në pronësi një butik dhe një bar kafe në qendër të Laçit.

Në momentin që është qëlluar, Xhelal Reçi ka tentuar të largohet për t’u mbrojtur pas biznesit të tij, por nuk ka mundur dot t’i mbijetojnë plagëve dhe ha humbur jetën. Xhelali njihej si njeri i urtë dhe i qetë dhe kishte 15 vite që kishte lënë profesionin e policit. Mendohet se autorët e kanë ruajtur dhe vëzhguar prek ditësh 61-vjeçarin para se ta vrisnin atë.

Pak minuta pas vrasjes në Milot është gjetur dhe një makinë e djegur, që mendohet se është përdorur nga autorët.

Pistë kryesore e hetimit të ekzekutimit të Xhelal Reçi janë konfliktet e të birit Besnik Reçi, të cilit një vit më parë i është bërë një atentat gjatë kohës që po lëvizte me familjen e tij. Ngjarja ndodhi në gusht të 2020, ku Besnik Reçi ishte në makinë bashkë me familjen e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, kur u qëllua nga dy persona që lëviznin me motor. Fatmirësisht nga plumbat nuk mbeti njeri i lënduar, ndërsa ngjarja nuk është zbardhur as sot.

I biri Besnik Reçi njihej si një person tejet problematik, ku sherret dhe konfliktet i kishte të shumta me personat në Laç e më gjerë. Që prej kohës që i është bërë atentati, Besnik Reçi ka qëndruar pothuajse i fshehur dhe nuk ka lëvizur në ambiente të hapura, për shkak të frikës se mund ta vrisnin.

Nuk dihen ende se kush janë autorët, por fakti që zona ka shumë kamera sigurisë dhe është e banuar mund të hedh dritë shpejt në identifikimin e autorit.

Pas ngjarjes së rëndë policia e Lezhës, menjëherë  ka rrethuar zonën dhe ka ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit.  Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur  zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.