Nga Kastriot Myftaraj
 

Hoxhë Elvis Naçi është imami i Xhamisë së Tabakëve në Tiranë, e cila gjendet pranë Urës së Tabakëve. Për ata që nuk e njohin mirë Tiranën, Ura e Tabakëve është pak më shumë se 100 metra në vijë të drejtë nga ndërtesa e Kuvendit të Shqipërisë. Në 16 nëntor 2015, në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ku u debatua mbi temën “A e kërcënon ISIS Shqipërinë?”, i ftuar në emision, si përfaqësues i Komunitetit Musliman të Shqipërisë ishte edhe Hoxhë Elvis Naçi.

Hoxhë Elvis Naçi, edhe për shkak të emrit që mban, simbolizon shumë mirë, fytyrën e dyfishtë të Komunitetit Musliman të Shqipërisë, organizata e cila ka, sipas një marrëveshjeje me Qeverinë Shqiptare, dhe sipas lejes së Gjykatës, të drejtën e administrimit të çështjeve të fesë islame në Shqipëri, që nga xhamitë, mënyra e kryerjes së ritualeve fetare, shkollat, botimet etj.

Hoxhë Elvisi ngjan shumë me imituesit e Elvis Presley, të cilët nga ana e tyre ngjajnë shumë me Elvisin e vërtetë, por janë Elvisë të rremë. Hoxhë Elvisi imiton modelin e muslimanit të krijuar në manualet apo blueprintet e Komitetit Shtetëror të Kulteve në Shqipëri (institucioni shtetëror që mbulon çështjet fetare), të cilët nga ana e tyre janë produkt i fabrikave të ideve që punojnë për të krijuar të ashtuquajturin Islam Europian. Hoxhë Elvisin nuk do ta marrësh për hoxhë, deri në momentin që atë e kanë prezantuar si hoxhë. Edhe pas këtij momenti ai flet më tepër si një pastor protestant i cili është ftuar të flasë për Islamin dhe që kërkon të tregohet i përmbajtur.

 Hoxhë Elvisi u shpreh kundër terroristëve dhe radikalëve, por abstragoi duke mos thënë se bëhej fjalë për terroristë dhe radikalë islamikë. Hoxhë Elvisi tha se Shqipëria nuk ka nevojë për modele radikale të fesë që vinë nga vende të tjera. Edhe këtu ai abstragoi, duke mos cilësuar as fenë as vendet nga vinin modelet, kështu që dhe duhej nënkuptuar se bëhej fjalë për modele radikale të fesë islame të ardhur nga vende arabe. Hoxhë Elvisi e qortoi Blendi Fevziun që nuk kishte ftuar kurrë në emisionin e tij specialistë të Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe në SHISH (shërbimin e fshehtë). Fevziu u përgjegj se i kishte ftuar shpesh herë por ata nuk pranonin të vinin në emision, jo vetëm në të tijin, por në asnjë emision.

 Ndoshta specialistët e Antiterrorit mendojnë se ata i përfaqson shumë mirë në debatet televizive Hoxhë Elvisi, i cili shëtit televizion më televizion. Në fakt, çfarë mund të thoshte një oficer i Policisë së Shtetit apo SHISH më shumë se Hoxhë Elvisi? Nuk e di se si kanë reaguar Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe SHISH për këtë thënie të Hoxhë Elvisit, por me siguri që nuk iu ka pëlqyer. Sepse për ata që kuptojnë u zbulua se Hoxhë Elvisi merr edhe një rrogë nga Drejtoria e Antiterrorit ose SHISH (nuk përjashtohet nga të dy bashkë), përveçse nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë.

 Hoxhë Elvisi supozohet të përfaqësojë muslimanin e moderuar shqiptar, europian, të kundërt me radikalët islamikë me mjekrra si të ushtarëve të ISIS dhe pantallona me prerje mbi nyjen e këmbës. Në të vërtetë, Hoxhë Elvisi, megjithëse konkuron analistët më elegantë të ekraneve për nga klasi i lartë europian i kostumeve, këmishëve, kravatave dhe këpucëve që vesh, është musliman i moderuar, europian shqiptar, jo me tepër se ç’ ishin imituesit e Elvis Presley Elvisi i vërtetë.

 Të nesërmen e sulmeve terroriste në Paris, Hoxhë Elvisi e kishte ngritur me tepër se zakonisht volumin e megafonëve të minares së xhamisë së tij, nga të cilët thirret ezani në arabisht pesë herë në ditë. Ky është një detaj që shumëkush mund ta kundërshtojë megjithatë, si çështje perceptimi. Por deri më sot Hoxhë Elvisi, në qindra e qindra emisionet televizive ku ka marrë pjesë, nuk ka shpjeguar se përse nga minaret e xhamive të Shqipërisë, duke përfshirë edhe xhaminë e tij, thirret ezani në arabisht me megafonë. Në të vërtetë askush nuk e ka pyetur për këtë. Megjithatë Hoxhë Elvisi mund të kishte dhënë një shpjegim. Ezani i thirrur në arabisht nga megafonët e minareve është një akt radikalizmi islamik, sa flagrant aq edhe i sofistikuar. Ai nuk iu adresohet aspak besimtarëve të xhamisë për t’ i ftuar të kryejnë ritet atje. Sepse besimtarët janë shqiptarë të cilët nuk dinë arabisht, dhe nëse ka nevojë të ftohen për të kryer ritet, kjo gjë mund të bëhet fare mirë në shqip.

 Por ezani i thirrur në arabisht i adresohet pjesës tjetër të popullsisë që nuk janë muslimanë, iu adresohet të krishterëve, ateistëve, hebrenjve të Shqipërisë, iu adresohet atyre muslimanëve jopraktikues të Shqipërisë, të cilët quhen gabimisht muslimanë vetëm sepse paraardhësit e tyre janë konvertuar me dhunë në fenë islame në kohën e pushtimit osman, por që me përfundimin e pushtimit osman nuk e ushtruan më fenë islame.

Të gjithë këtyre iu adresohet ezani i thirrur në arabisht për t’ i terrorizuar psikologjikisht, për t’ i provokuar, për t’ i ngacmuar, për t’ iu bërë me dije se zëri i Allahut sundon në vendin e tyre, çka do të thotë se do të vijë dita kur edhe ata do të jenë të detyruar t’ i nënshtrohen Allahut. Ezani i thirrur me megafonë pesë herë ditën nga minaret e xhamive nuk është ritual fetar por ritual i terrorit psikologjik, i Xhihadit. Dhe këtë ritual të terrorit psikologjik nuk e ushtrojnë të ashtuquajturit radikalë islamikë, por Komuniteti Musliman i Shqipërisë, organizata që ka të drejtën ligjore për të administruar çështjet e fesë islame në Shqipëri. Dhe Komuniteti Musliman i Shqipërisë e kryen këtë ritual të terrorit psikologjik me imamë shpesh me veshje të europianëve elegantë, si Hoxhë Elvisi. Ky i ashtuquajtur ritual nuk argumentohet në asnjë mënyrë, qoftë teologjike, qoftë praktike. Për më tepër është edhe antikushtetues pasi gjuha zyrtare në Shqipëri është gjuha shqipe.

 Hoxhë Elvisi është radikali islamik i sofistikuar në Shqipëri. Ai është një Elvislamik. Hoxhë Elvisi është më i rrezikshëm se radikalët islamikë me mjekrra si të ushtarëve të ISIS dhe me pantallona me prerje mbi nyjen e këmbës. Hoxhë Elvisi flet kundër tyre që të fitojë të drejtën për të thirrur ezanin në arabisht me megafonë nga minarja e xhamisë.

 Në momentin që në Shqipëri do të ndodhë një kryengritje islamike, në krye të saj nuk do të jenë radikalët islamikë të deklaruar me mjekrra si të ushtarëve të ISIS dhe me pantallona me prerje mbi nyjen e këmbës. Në krye të kësaj lëvizjeje do të dalin njerëzit si Hoxhë Elvisi do të ndryshojnë retorikën dhe do të bëhen prijësit, ideologët e saj. Kështu ndodhi në rebelimin islamik të 1914 në krye të të cilit ishin si ideologë disa hoxhë si Musa Qazimi, paraardhësi i Hoxhë Elvisit, të cilët deri më atëherë nuk kishin nguruar që të vishnin edhe kostum europian, madje edhe të mbanin kravatë. Në librat e historisë ka fotografi të tilla të tyre. Këta prijës, vërtet mbanin në vijën e dytë si simbol për të tërhequr fanatikët njerëz si Haxhi Qamili, por kontrollin e lëvizjes e mbanin fort në duart e tyre.

Prandaj lufta kundër radikalizmit islamik në Shqipëri duhet të nisë duke i pyetur njerëzit si Hoxhë Elvisi, si dhe drejtuesit e tjerë të Komunitetit Musliman të Shqipërisë se përse thirret ezani me megafonë në arabisht nga minaret e xhamive. Ezani i thirrur me megafonë nga minaret e xhamive është tregues i përditshëm se i ashtuquajturi Islam i moderuar i praktikuar nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë është një realitet aq sa ç’ ishin Elvis Presley real imituesit e tij. Duke e marrë Hoxhë Elvisin për modelin e muslimanit të moderuar europian, shteti shqiptar sillet si ai njeriu që besonte se kishte takuar Elvis Presley real, kur takonte një imitues të tij.