Ilir Meta paraqitet në SPAK. Burime ekskluzive për gazetaren e Report Tv Keti Banushi bëjnë me dije se Ilir Meta po jep llogari në SPAK për aferën CEZ-DIA, ështje e cila u rihap në prill të vitit të kaluar. Në një prononcim të shkurtër për mediat Meta tha se ka sjellë dhjetëra denoncime në SPAK kundër korrupsionit.

“Po kam sjellë me dhjetëra denoncime këtu, me firmë, me vulë në SPAK, prandaj kam ardhur me shumë kënaqësi. I kam thirrur disa herë SPAK të veprojë kundër korrupsionit,” deklaroi Meta.

Për dosjen e CEZ-DIA është dënuar Kastriot Ismailaj. Vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta i kërkon Kastriot Ismailajt (e dënuar me 11 vite burg), 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka deklaruar Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i niste Kastriot Ismailajt duke i kërkuar para. Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qen mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё CEZ, sigurisht në bashkëpunim me CEZ, pasi CEZ nuk humbiste asgjë, por xhepat e shqiptarëve.

Kastriot Ismailaj është dënuar në vitin 2017 me 11 vite burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Gjykata ka urdhëruar edhe sekuestrimin e 5 milionë eurove. Ai ishte administrator i kompanisë DIA, e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të CEZ, ku u përfshi në një skemë mashtrimi, duke shkatërruar edhe raportet mes shtetit shqiptar dhe CEZ, me kosto të madhe për buxhetin e shtetit.

Ai u arrestua në 12 maj të vitit 2015 nga Sektori i Pastrimit të Parave dhe ai i Krimit Ekonomik dhe Financiar ne Policinë e Shtetit për veprën e mashtrimit në shuma të mëdha dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Në 6 muaj, 9 kompani private përfituan nga CEZ-i 12 milionë USD nga kontratat për mbledhjen e borxheve të papaguara. Pjesën më të madhe të fondeve e ka marrë “Debt International Management”, me administrator Kastriot Ismailaj, 649 milionë lekë, ose gati 6.5 milionë dollarë. Nga “Debt International Advisori” paratë kanë dalë nga Shqipëria duke hyrë në llogaritë e dhjetëra kompanive të tjera, që veprojnë në rreth 15 shtete. Sipas burimeve nga prokuroria, bëhet fjalë për shuma financiare që ka dyshime të forta se i përkasin njerëzve të politikës dhe personave VIP në Shqipëri, pasi kjo kompani fantazmë nuk ka kryer as vjeljen e borxheve të “CEZ Shpërndarje”, për të justifikuar transfertat, aq më tepër që shuma e transferta është shumë më e madhe se 5 milionë euro.
Kastriot Ismailaj, nën “maskën” e marrëveshjes me kompaninë çeke, “CEZ Shpërndarja”, për mbledhjen e borxheve kreu mbi 100 transaksione bankare, para këto që kanë qenë të personave të rrethit shoqëror të tij.