Ikona e muzikes country Dolly Parton u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare, por një pjesë e zërit të saj do të dëgjohet vetëm pas dy dekadash. Këngëtarja amerikane kishte përgatitur një surprizë të veçantë për ditëlindjen e saj të 100-të, një këngë të papublikuar që tashmë do të realizohet pa praninë e saj.

Në një kuti të mbyllur në DreamMore Resort ndodhet kënga “My Place in History”, e shkruar dhe regjistruar nga Parton në vitin 2015, në kohën kur u hap resorti. Udhëzimi i saj ishte i qartë: kutia të qëndronte e mbyllur deri më 19 janar 2046, datë që do të shënonte 100-vjetorin e lindjes së saj.

Kutia është prej druri gështenje dhe nuk përmban vetëm regjistrimin e këngës. Brenda saj ndodhen një CD dhe një pajisje për ta dëgjuar, në mënyrë që kënga të mund të luhet edhe pas dy dekadash, pavarësisht se si do të ndryshojë teknologjia. Në të është vendosur gjithashtu një kujtim shumë personal që lidhet me shtëpinë e fëmijërisë së Dolly Parton dhe me rrënjët e saj në Tennessee.

Një tjetër projekt që do të vazhdojë pa praninë e saj është muzikali i cili rrëfen jetën dhe karrierën e saj. Shfaqja është planifikuar të mbërrijë në Broadway, ndërsa historia e artistes do të tregohet përmes disa prej këngëve të saj më të njohura dhe materialeve të reja të shkruara prej saj.

Në këtë mënyrë, edhe pse Dolly Parton nuk do të jetë më aty për ta hapur vetë kutinë, planet e saj kanë bërë që zëri dhe historia e saj të vazhdojnë përtej jetës. Më 19 janar 2046, kur kutia prej gështenje të hapet, fansat do të dëgjojnë për herë të parë “My Place in History” – një këngë që Dolly Parton e regjistroi për një ditë që ajo e dinte se mund të mos e përjetonte, por që dëshironte ta linte si një dhuratë për të ardhmen.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *