Një ngjarje e rëndë është parandaluar pranë ishullit të Sazanit ku një peshkarexhë është mbytur. Dy peshkatarët janë shpëtuar pasi varka me të cilën kishin dalë për të peshkuar mori ujë.

Menjëherë në ndihmë iu ka ardhur roja bregdetare. Edhe policia kufitare ka mbërritur në vendin e ngjarjes. ABC News ka siguruar edhe foton nga peshkarexha e mbytur afër ishullit.

Gazetari i Abc News, Elton Nika raporton nga Vlora se dyshohet se peshkarexha të ketë pësuar një defekt dhe marinarët kanë dhënë sinjalin SOS.

Mezan Mezani, një nga peshkatarët që gjendej në anijen që u mbyt pranë ishullit të Sazanit ka folur për mediat duke thënë se arritën të shpëtonin falë ndihmës së menjëhershme të rojes bregdetare dhe policisë kufitare. Ai e përshkroi situatën si nëpër filma teksa tha se iu desh të qëndronin lart anijes.

“Falenderoj me zemër rojen bregdetare dhe policinë kufitare sepse ishim në një moment kritik. Deti ishte normal por dallgëzimi. Kam gjithë jetën që jam peshkatar. Na kanë ndodhur probleme por jo të kësaj shkalle. Ishim tre veta. Nuk kishim mundësi komunikimi. Kemi qëndruar sipër në ato filma, kemi qëndruar lart.

Dua t’i kërkoj ndihmë forcës detare sepse jo vetëm për mua por dëmi është i madh. Ka marrë mbi 250 mijë euro. Edhe për anijet e tjera është pikë e rrezikshme sepse përmbahet thjesht nga kavot. Është në mes të detit. Ishim rreth 3.2 milje.“, tha ai. /abcnews.al