Kryetari i shtetit, Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë për mediat për të sqaruar qëndrimin e institucionit të Presidentit për marrëveshjen e detit me Greqinë. “Jam i detyruar të bëj publike” përgjigjen ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme, “duhet transparencë”, ka thënë ai.
Presidenti tha se u detyrua të publikojë sot korrespodencën me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) për të bërë më shumë transparencë për qytetarët lidhur me çështjen e negociatave me Greqinë. Ai tha se Kushtetua dhe Ligji janë vija e kuqe për këtë marrëveshje, jo vetëm për Presidentin, por për çdo institucion shqiptar.
Presidenti theksoi ligjet dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe sqaron gjithë procedurën që duhet të ndjekë Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme për marrjen e plotfuqishmërisë dhe vijimin e negociatave.
I pyetur nëse më këto qëndrime Presidenti po kërkonte të drejtonte bisedimet me Greqinë, Meta tha: “Presidenti nuk kërkon asgjë më shumë sesa përcakton Kushtetua dhe Gjykata Kushtetuese. Presidenti nuk mund të drejtojë bisedimet, por kreu i shtetit duhet të njohë detajet dhe të njohë ekipin e negociatave. Presidenti nuk ka nevojë të caktojë një njeri në ekip, për shkak se gjithë ekipi negociator në momentin që merr plotfuqinë është përfaqësues i shtetit shqiptar, por Presidenti nuk mund të firmosë një letër të bardhë me probleme juridike”.
I pyetur nëse Presidenti po e shfrytëzonte politikisht këtë negociatë, kreu i shtetit tha qartë se për një çështje kaq të ndjeshme nuk mund të bëhen lojëra politike.
Në konferencën për mediat, Presidenti komentoi dhe një prej argumenteve të mazhorancës, që thotë se kreu i shtetit e kontrollon marrëveshjen në fund, kur të shkojë për dekretim. Presidenti Meta tha se kreu i shtetit nuk mund të informohet në fund për ecurinë e marrëveshjes duke u vendosur para faktit të kryer.
“Qëllimi im nuk është dhe aq do të jetë të bëjë lojë politike në marrëdhënie me fqinjët, aq më tepër për një çështje kaq delikate. Presidenti nuk mund të reagojë në fund, nuk mund të vendoset para faktit të kryer dhe më pas të thotë se nuk jep besimin për nënshkrimin e marrëveshjes, sepse kjo do të thellonte krizën. Presidenti ka detyrë nga fillimi deri në fund të ndjek procesin…”,- tha Presidenti, Ilir Meta.
Presidenti Meta ka sqaruar dhe debatin ku është përpjekur Ministria e Jashtme të kanalizojë çështjen. Sipas ministri Bushati, Presidenti sipas ligjit jep vetëm autorizim.
Ndërkohë Presidenti Meta tha se “unë zbatoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese që është më i rëndësishëm se çdo ligj. Nëse mazhorncës nuk i pëlqen ky vendim i Gjykatës Kushtetuese le të shkojë ta ankimojë. Për mua nuk ka asnjë problem”.
Para gazetarëve, Presidenti Meta solli disa raste paraardhëse kur Ministria e Jashtme ka kërkuar plotfuqishmërinë për marrëveshje ndërkombëtare. Ai tha se në këto kërkesa, që janë shumë më pak të rëndësishme sesa marrëveshja e detit, Ministria ka sjellë emrat e negociatorëve, objektin e marrëveshjes dhe gjithë detajet që duhen për negociata të tilla.
Kreu i shtetit është pyetur nëse vizita e kryeministrit grek, Aleksis Tsipras në muajin Prill në Shqipëri, e vendos Presidencën nën presion për arritjen e një marrëveshje sa më shpejt.
“Axhenda e cilido personalitet të nderuar nuk mund të më imponojë mua që të mos përmbush detyrimet e mia për realizimin me sukses në mënyrë transparente të qëndrueshme dhe përfundimtare të një marrëveshje historike mes dy vendeve. Qeveria ka të drejtën e saj të bëjë të gjitha marrëveshjes që janë në kompetencën e saj, sipas kushtetutës, me qeverinë e Greqisë dhe gjithë qeveritë e tjera, por në këtë çështje ua bëra edhe një herë të qartë se kush është qëndrimi i Presidentit të Republikës. Deri më sot institucioni i Presidentit nuk ka asnjë informacion zyrtar nga Ministria për Europën dhe Punën e Jashtme lidhur me diskutimet që janë bërë me Ministrinë e Jashtme të Greqisë. I kam bërë të qartë ministrisë për Europën dhe punën e Jashtme që për këtë çështje bashkëpunimi do të jetë vetëm zyrtar, për të evituar çdo keqkuptim”,- tha Presidenti Meta.
Veritas.com.al/