Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj shprehet optimiste se hetimet intensive do të çojnë para drejtësisë autorët përgjegjës për rrjedhjen e të dhënave personale të mbi 630 mijë qytetarëve.

E pyetur lidhur me këtë çështje, gjatë një deklarate për media krah drejtorit të policisë kriminale Tonin Vocaj, për arrestimin e 35 personave për mashtrim me “Call Center”, Imeraj tha se prokuroria po kryen veprime të nevojshme dhe të duhura.

“Normalisht që do të kemi autor”, u shpreh ajo.

“Në raport me çështjen në fjalë, është një çështje sensitive, Prokuroria e Tiranës po kryen çdo veprim të nevojshëm dhe të duhur, jemi të bindur që në fund të këtij hetimi, veprimet do jenë intensive dhe do të konkludohen me vendimmarrje konkrete. Normalisht që do të kemi autor”, tha Imeraj.