Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Vlorë, ai ka parë nga afër rrugën e re përgjatë Luginës së Lumit të Vlorës, ku ka përfunduar segmenti i parë e ka nisur segmenti i dytë, i rrugës prej 100 km. Ky aks shumë kapilar nis nga By Pass-i i Vlorës dhe del në bregdet, në Qeparo.

Korridori i ri turistik e bujqësor, lidhet me degëzimin Gusmar – Kuç dhe del në Tepelenë, duke integruar ofertën turistike të dy zonave të mahnitshme të Shqipërisë.

“Është një super rrugë, – u shpreh kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, – Një ëndërr që kur isha unë fëmijë dhe sot jam 50 vjeç, gjithashtu ëndërr dhe nga gjyshërit e mi dhe prindërit e mi po ashtu.”

Rruga me gjatësi thuajse 100 km do të lidhë “Bypassin” e Vlorës me Qeparoin duke kaluar nëpërmjet Urës së Peshkëpisë – Urës së Laskos – Kuç-it dhe një sërë fshatrash të tjerë. Rruga do të ketë dhe një degëzim nga Peshkëpia për në Selenicë dhe në kryqëzimin e autostradës Levan-Tepelenë.  Ky korridor i ri, i cili do të lidhë qarkun e Vlorës me bregdetin Jonian, do të jetë më i sigurt dhe më i shkurtër se rruga ekzistuese .

“Kjo hap një pamje tjetër, një Shqipëri tjetër për të gjithë ata që s’kanë kaluar këtej ndonjëherë, është një spektakël i madh nga ana e natyrës, gjithashtu do hapi shumë mundësi për bujqësinë, për blegtorinë, për turizmin. Dalja poshtë në breg është shumë fantastike dhe lidhja me Gusmarin dhe Kuçin poshtë.” -u shpreh kryeministri Rama.

Sipas Ramës, rruga po sjell një transformim rrënjësor, jo vetëm të infrastrukturës, por edhe të hapësirës urbane dhe turistike.

Kryeministri është takuar me banorë të zonës, shumë prej tyre duke e përgëzuar për ndërtimin e kësaj rruge. Por nuk ka munguar as iso-ja e famshme labe për të përshëndetur kreun e qeverisë.

“Nuk ju rrihet ju. Ju doni rrugë për të dalë për të kënduar”, ka thënë Rama sapo ka parë grupin e iso polifonisë. “Edi Rama mirë se vjen ku ka shqiponja folenë”, thuhet ndër të tjera në këngë.

Veritas.com.al/