Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm pamje nga projekti i urës mbi Bunë të nënshkruar një ditë më parë mes dy qeverive asaj shqiptare dhe të Malit të Zi. Në një postim në Facebook kreu i qeverisë tha se ky projekt do të bashkëfinancohet nga të dyja qeveritë dhe do të shkurtojë distancat mes Velipojës e Ulqinit nga 73 km në 300m.

“Mirëmëngjes dhe me projektin e “Urës mbi Bunë”, një projekt i bërë gati për zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili do të bashkëfinancohet nga dy qeveritë, për të lidhur vendet tona duke shkurtuar distancën mes Velipojës e Ulqinit nga 73 km në 300m, si edhe duke i dhënë një shtysë të re lirisë së lëvizjes, turizmit dhe ekonomisë ndërkufitare, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Rama.

Qeveria shqiptare nënshkroi një ditë më parë me qeverinë malazeze marrëveshjen për ndërtimin e urës mbi lumin Buna në Shkodër. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, pika kufitare Shën Nikollë- Pulaj do të shërbejë si pikë kufitare për Urën mbi Lumin Buna. Kostoja e urës dhe pikës kufitare do të shkojë deri në 20 milionë euro dhe do të ndahet 50% me 50%.