Porti i Sarandës vijon të jetë një nga portat kryesore hyrëse për turistët e huaj gjatë sezonit veror. Sot, porti mirëpriti për herë të pestë kroçerën turistike “Seabourn Quest”, me 456 pasagjerë në bord, të cilët kanë zgjedhur rivierën shqiptare për të zbuluar pasuritë natyrore, historike dhe kulturore të jugut të vendit.
Turistët në bord vijnë nga vende të ndryshme të botës, mes tyre Bullgaria, Franca, Belgjika, Hondurasi, Kroacia dhe Zimbabveja.
“Seabourn Quest” mbërriti në Sarandë nga Brindizi i Italisë, për një vizitë njëditore, ndërsa pasditen e kësaj të mërkure do të vijojë lundrimin drejt Zakynthos në Greqi.
Gjatë qëndrimit në Sarandë, turistët do të kenë mundësi të vizitojnë qytetin, ndërsa një pjesë e tyre do të udhëtojnë drejt destinacioneve të njohura turistike, si Parku Arkeologjik i Butrintit dhe Syri i Kaltër.
Saranda është shndërruar vitet e fundit në një nga destinacionet më të kërkuara të turizmit detar në Shqipëri, falë pozicionit strategjik, afërsisë me ishullin e Korfuzit dhe ofertës së pasur natyrore e kulturore.
Me mbërritjen e “Seabourn Quest”, numri i mjeteve turistike që kanë ankoruar këtë sezon në Portin e Sarandës shkon në 47, prej të cilave 19 janë kroçera turistike.
Fluksi i lartë i kroçerave gjatë muajve të verës ka ndikuar pozitivisht në ecurinë e sezonit turistik, duke forcuar më tej imazhin e Shqipërisë si një destinacion gjithnjë e më konkurrues në tregun ndërkombëtar të turizmit.
Komente