Administrata e Presidentit Obama do t’i paraqesë Kongresit Amerikan kërkesën për lëvrimin e 1.8 miliardë dollarëve nga fondet e emergjencës, për të luftuar dhe parandaluar përhapjen e virusit Zika.

Ky fond do të përdoret për programe kërkimore për vaksinën që lufton Zikën, si edhe për analizmin e mëtejshëm të mushkonjës “Aedes aegipti” që transmetojnë virusin.

Epidemia që shkakton mikrocefalitin, apo lindjen e foshnjeve me kokë të vogël, po përhapet me hapa galopantë në Kontinentin amerikan. Pak ditë më parë autoritetet amerikane konfirmuan rastin e parë të infektimit nëpërmjet marrëdhënieve seksuale, në Dallas të Teksasit.

Ndërkohë në Europë janë shënuar disa raste të diagnostikuar me Zika. Të paktën 3 persona janë dignostikuar në Itali, ndërsa autoritetet spanjolle konfirmuan rastin e parë të një nëne shtatëzënë të prekur nga virusi.

Më herët, gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilësoi Zikën si një emergjencë globale.