Banka Botërore lajmëron një ulje të konsiderueshme të investimeve të huaja në vendin tonë në vitet në vijim. Në një projeksion të fundit për Shqipërisë, investimet e huaja direkte do të përfshihen në një trajektore rënëse që këtë vit dhe për të vijuar kështu të paktën deri në vitin 2019, raporton revista ‘Monitor’.

Banka thotë se IHD këtë vit do të arrijnë në 8.3 për qind të PBB nga 8.7 për qind që ishin vitin e kaluar. Por vitin e ardhshëm ato nuk pritet të jenë më shumë se 7 për qind e PBB dhe më 2019 do të jenë 5.6 për qind e PBB-se.

Në vlerë absolute investimet e huaja pritet të bien me 22%.

Banka thotë se vitet e fundit investimet e huaja direkte kanë qenë motori kryesor i rritjes ekonomike në Shqipëri ndaj dhe rënia e tyre do të gjenerojë një hendek.

Ekonomia e Shqipërisë u rrit 3,4 për qind në 2016 dhe kjo rrit u nxit më së shumti nga investimet private në dy projektet kryesore, gazsjellësi TAP dhe HEC-et në lumin Devoll.

Banka thotë se remitancat dhe investimet e huaja financojnë pjesën dërrmuese të importeve.

Sipas BB, tani, më shumë se kurrë thekson urgjencën e reformave strukturore për të përforcuar ribalancimin e sapo nisur nga burimet e brendshme të rritjes ekonomike, në ato të jashtme me mbështetje më të madhe tek investimet.

Përfitimet e rritjes ekonomike me krijimin e vendeve të reja të punës duhet të konsolidohen dhe zgjerohen, në mënyrë që të thyhet zinxhiri i emigracionit, reformave të cekëta, si dhe rritjes së ngadaltë ekonomike.

BB rekomandon eliminimin e faktorëve dekurajues dhe barrierave për punësimin formal, për të mundësuar ritme më të shpejta të rritjes ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe reduktimin e varfërisë.

Përmirësimi i klimës së biznesit dhe qeverisjes për të mundësuar kompanitë që të krijojnë më shumë vende pune, të zgjerohen dhe të rrisin produktivitetin është një rekomandim tjetër.

Rritja e barazisë, cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve publike dhe sistemeve të mbrojtjes sociale, duke reduktuar në të njëjtën kohë rolin e qeverisë rekomandohen për tu bërë.

Veritas.com.al/