Flota e autoambulancave në terren është zgjeruar me 20 mjete të reja, për të “përmirësuar” shërbimin e Urgjencës Kombëtare.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, mesditën e 10 janarit.

E shoqëruar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ajo theksoi se ky është investim prej 1.4 milionë euro për sigurimin e automjeteve me standarde “të larta”.

Kjo, si përpjekje për të përballuar dhe situatën pandemike COVID-19.

Manastirliu tha se ka pasur më shumë se 140 misione të realizuar nga strukturat e spitaleve, përgjatë vitit 2020.

“Do të jenë 15 postacione”, tha ajo, “ndërsa do të ketë një mini-flotë rezervë për rastet e urgjencës”.

Ndër të tjera, Manastirliu tha se janë mbi 100 autoambulanca të reja të investuara në të gjithë Shqipërinë.

Përfshirë dhe ato të investuara në strukturat e Qendrave Shëndetësore, numri shkon “mbi 250 autoambulanca” të organizuar për t’i mirëpritur të gjitha thirrjet.

Një vit më parë, më 5 janar, ministrja e Shëndetësisë, bashkë me të parin e qeverisë, kanë prezantuar 36 autoambulancat e reja të financuara nga fondet e investimeve të qeverisë.

Përgjatë 2019-s dhe 2020-s, Manastirliu ka thënë asokohe se sistemi shëndetësor është pajisur me 80 autoambulanca të reja, duke e çuar numrin aktual të autoambulancave në 150.

“Këto autoambulanca do të shpërndahen në spitale rajonale për të përforcuar kapacitetet spitalore për të përballuar situatën e pandemisë në vend”, deklaroi më 5 janar të 2021-shit Manastirliu.