Nga Laert Skiro/

Sot Partia Demokratike dhe aleatët  opozitarë që udhëheqin protestën popullore “Për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme” me qeveri teknike, kanë vendosur të krijojnë “Kuvendet Qytetare” në të gjithë rajonet e vendit. Kuvendet Qytetare përtërijnë një traditë të hershme të demokracisë para- politike të kombit shqiptar, ku Kuvendet, Gjyqësitë dhe Këshillat e të Urtëve përbënin trupën gjyqësore ku inkludohej edhe ajo që në epokën perëndimore të Drejtësisë u quajt Juri.

“Juria” e Opozitës, ose e thënë drejtpërdrejt “Kuvendet Qytetare” do të shërbejnë për të gjykuar mbi veprimet qytetare dhe politike të qeverisë dhe opozitës para “epokës” së zgjedhjeve; dmth., këto janë organet para-politike të Demokracisë.

Gjithashtu, Kuvendet Qytetare do të luajnë rolin e Iniciativës dhe interesave qytetare për zgjedhje të lira, për pluralizëm politik dhe Demokraci. Paragjykimet e shprehura shpesh se protesta “kërkon pushtet për dikë”, bie poshtë, veçanërisht me krijimin e Kuvendeve Qytetare. Ato janë forume drejtësie popullore, peshoresh politike dhe shërbimesh qeveritare ndaj qytetarëve, janë organizma që qëndrojnë në mes të forcave politike për cilindo që kërkon Drejtësi dhe Ndershmëri në Zgjedhje.

Prej disa muajsh është folur, debatuar, vendosur dhe zhvendosur mbi Reformën në Drejtësi, që tashmë përsëri ka pësuar thyerje. Në qoftë se Reforma do të kishte krijuar forumin e Jurisë në Drejtësi, me siguri do të ishte më e besueshme për masën e qytetarëve.

/Veritas.com.al/