Frrok Çupi/

‘Shqip’ themi në pezhorativ sa herë kërkojmë që tjetri të flasë ‘drejt’, dmth., të thotë të vërtetën…, kësaj i themi ‘fol shqip’. Kur kërkojmë mes shqiptarëve që të flasin ‘shqip’, dmth., u kërkojmë përdoruesve të vetëm të kësaj gjuhe të vetme si e tillë në botë, atëherë edhe këtu duket se kërkojmë Diogjenin e Greqisë së Lashtë që me fenerin e tij në dorë kërkonte ‘njerëz’. Një herë, kur e panë me kandil të ndezur në mes të ditës dhe e pyetën se ç’kërkonte, ai u përgjigj: “Kërkoj të gjej një njeri”…

Kërkohen njerëz që të flasin ‘shqip’. Mes nesh i kërkojmë këta, se të huajt nuk na kanë asnjë faj që nuk na e njohin gjuhën. E ardhura nga BE, Federica Mogherini, e ekzaltuar nga pritja ‘fake’ e politikës shqiptare, sot në Tiranë tha se do të fliste ‘’shqip’ dhe ligjëroi këto fjalë: “Shqipëria i ngjan Ferrarit”. Edhe në këtë fjalë të premtuar si ‘shqip’, zonja BE gënjeu…, se ku e mori Shqipëria ‘breshkë’ shpejtësinë e Ferrarit…

Por ata vijnë e shkojnë me shqipen copë- copë. Këta që janë këtu.., këta pse nuk flasin ‘shqip’? Sidomos për këtë punën e fundit të negociatave mes nesh dhe BE… askush nuk flet ‘’shqip”. As maxhoranca, as opozita, as ‘zona gri’, as akademikët, as studentët, as fshatarët, as të burgosurit, as vetmitarët, as turma, as të ngujuarit, as të dhunuarit, as të uriturit…

Si nuk tha një nga këta se ‘nuk ka ndodhur gjë’…, po asgjë. Madje, po të ishte një  media normale, rekomandimin e nëpunësve të KE as që do ta quante lajm; kjo është thjesht propagandë. Sepse nuk ka ndodhur gjë, asgjë që të quhet lajm-(E dini ju të dashur studentë të gazetarisë së kur nuk ndodh gjë nuk ka lajm?).

Si nuk tha dikush se vetë KE nuk ka asnjë kapacitet legal që të çelë negociata me askënd. Bota e përparuar e mendimit dhe e analizës e ka thënë njëmijë herë se KE është një organizëm ‘i pavotuar’. Domethënë edhe kjo që ‘ndodhi’- është ‘fake’.

Si nuk tha dikush ‘shqip’ se po na ngopin me lugë bosh, nuk po them se ‘po tallen.  Se edhe sikur nesër të bëheshim anëtarë të BE, a pyet njeri ‘pse?’ dhe “çfarë fitojmë?”

Të paktën të ishte dikush që të thoshte ‘shqip’ se procedurat e anëtarësimit pranohen ose nuk pranohen në Parlamentin Europian (PE). Por PE, bash në kohën kur Mogherini me Hahn shpallën ‘rekomandimin’ dhe në Tiranë plasi Úrraaa!”, ndodheshin në selinë e madhe të PE në Strasburg. Aty presidenti i Francës po kumbonte në sallë me fjalimin se ’nuk votojmë pranime të reja në BE nga Ballkani”, aty po thuhej se BE është  në krizë të thellë dhe nuk ka ‘fuqi’ për zgjerim. Zoti Macron i Francës, që është njëra nga dy pikat themelore të BE tha se ‘në BE shikon luftë civile”. Por ishte pikërisht momenti kur Mogherini mblodhi dy vetë, u lëpi nëpër sallën e madhe dhe doli në një dhomë të vogël ku shpalli “opinionin për hapjen e negociatave” me Shqipërinë.

Po si nuk ka njeri që të flasë “shqip”!… U duk se më shumë “shqip” se shqiptarët foli francezi Macron. Ai u bë sikur iu bërtiti nëpunësve të KE: “Ore ku po shkoni?, “mos dilni që të flisni për pranime të reja, se po mashtroni”. Edhe Gjermania foli ‘ship’ pas Francës dhe tha se “nuk është gjë ajo që u tha” në dhomën e vogël appendix të PE në Strasburg…

Por këtu në Shqipëri askush nuk foli ‘shqip’ e të thotë të vërtetën. Njëri i lëpihet qeverisë e nuk do t’ia prishë; tjetri i lëpihet nëpunësit të BE se ‘kushedi i bëj përshtypje të mirë”, tjetri i lëpihet Reformës në Drejtësi që të ‘mos më thërrasin në prokurori’ për korrupsion. Këta janë politikanët… Akademikët kanë dëgjuar gratë e shkreta që u kanë thënë: “sill atë piç rroge në shtëpi e mos u merr me politikë”. Studentët gjuajnë internetin; të burgosurit shkruajnë letra për familjarët.

Po kush dreqi do të flasë shqip mes të këtyre shqiptarëve?…

Veritas.com.al/