Frrok Çupi/

Nuk e kanë punën me historinë, këta e kanë punën me “viralen”. Një Shqipëri e duan ta dhunojnë, një tjetër ta shfaqin në imazh; të dytën këta e krijojnë.

Ja ku janë dy “Shqipëritë” e këtyre, shumë afër, shumë pranë në kohë:

Sot:

Sot në mesditë kryetari i qeverisë u kthye nga vizita në Kosovë dhe sa hapi derën e zyrës, aty u shfaq ambasadori Lu. Dje Lu i kishte qëndruar prapa derës, pastaj në zyrë për 20 minuta, të presidentit të Republikës. Ajo ishte Shqipëri tjetër për të… Ambasadori gjatë gjithë ditës, dje, kishte turbulluar gjithë median, shtetin dhe publikun. Në mbrëmje ishte prapë në televizione. Prokurori i Përgjithshëm i tregoi publikisht bëmat e tij. Gjykata Kushtetuese sot e akuzoi përsëri për “shantazh” kundër drejtësisë… Kjo ishte Shqipëria e parë. Kryeministri, tek kthehej nga pjesa tjetër e kombit shqiptar, telefonoi partnerin e tij në “vepër” dhe i tha “hajde te unë në zyrë” se e rregullojmë këtë punë. Nuk mjaftoi Shqipëria e presidentit, as e Kuvendit, as e Kushtetutës, as e mediave… Shqipëria e dytë u krijua nga kryetari i qeverisë; ky ka tokën e vet, shtetin e vet, ajrin e vet, të dytë.

Po sot:

Ndarjen e Shqipërisë në “dy Shqipëri” në raport me Lu, kryeministri e bëri përmes një absurdi “fantazmash”. Duke u grupuar me zotin Lu, të dy distancohen nga udhëheqja e re në Amerikë. Lu është pjesë e administratës së vjetër të rënë, siç është edhe Rama- përfaqësues i klikës Soros- Podesta. Grupimi i tyre ndodhet në një pozicion të kundërt në lidhje me Amerikën “e Re”; grupimi i tyre krijon fantazmën e “dy Shqipërive”: Një Shqipëri me Soros e Obama,- një Shqipëri me presidentin Donald Trump. Sikur tu ecte përpjekja djallëzore, mendoni çfarë dëmi shkatërrimtar do t’i sillnin këta këtij vendi.

Dje në mesditë:

Dje u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare, që edhe për nga emri të krijon emocion atdhetarie. Shteti shqiptar është vënë në një pozitë pasigurie dhe turpi për shkak të krimit dhe drogës- ky ishte objekti. Kryetari i qeverisë, që është zgjedhur nga populli dhe ligji për të garantuar sigurinë kombëtare, nuk erdhi në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Shqipëria e tij, (e dytë- virale) ka tjetër siguri ose mos-siguri; ka tjetër Këshill dhe tjetër autoritet; kryeministri nuk pranon të vijë në këtë Shqipëri reale. Siguria e vendit, sipas tij, nuk mundi të ishte Një e vetme dhe Siguri Republikane. Jo, ky nuk e pranon.

Dje në Kosovë:

Kryeministri nuk vizitoi, por u strehua dy ditë në Kosovë. Kush nuk e  merr vesh këtë?… Dihej se këtu në Shqipëri do të plaste “bomba” e Lu me Drejtësinë dhe se do të mblidhej Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Për t’u fshehur nga të dyja, stisi vizitën zyrtare patriotike në Kosovë. Atje e pa “teatrin” nga një ballkon i dytë i Shqipërisë. Ju kujtohet si e shikoi demonstratën e tij vrasëse të 21 Janarit?… nga ballkoni i Dy kullave.

Dje dhe gjatë gjithë kësaj kohe- në Kosovë:

Ishte dita e fundit e misionit djallëzor për të ndarë Kosovën.  Një grup i strukturuar nga Tirana ( pjesë e Ramës), prej kohësh po përpunon ide tragjike se si të priten pjesë nga toka e Kosovës për t’ia dorëzuar Serbisë në kompensim të “paqes me Sandrin e Serbisë”. I pari propozoi të pritet veriu i Kosovës; i dyti tha “edhe Mitrovica, edhe Presheva” t’i jepen Serbisë. Pastaj prapë i pari: ‘jo, vetëm një pjesë”. Të ashtuquajtur analistë dhe patriotë krah Ramës në Tiranë e “përpinë” idenë e ndarjes. Kishin krijuar “dy Kosova” dhe “dy Shqipëri”. Hapen edhe lajmin se Trump nuk është me Kosovën; por dolën huq. Dje ndodhi kjo.

E projektuar që sot për nesër:

Për nesër do të jetë një Shqipëri e tij ku njerëzit “dele” do të kullosin paratë, ato pak para që do të lëshojë për të blerë vota. “Delet”i shesin votat. Atëherë do të krijohen “dy Shqipëri”, njëra e deleve që kanë shitur votën dhe kanë krijuar qeverinë; dhe e dyta e njerëzve normal që nuk do ta shesin votën e do të kërkojnë tjetër Shqipëri, Shqipërinë normale. Këtu do të jetë përplasja. Edhe partneri i tij Lu nuk mundi të rrijë pa deklaruar se qeveria “do të blejë zgjedhjet”. Një pushte i blerë, një tjetër i pa blerë…

Këta kanë stisur “dy Shqipëri” për të kapërcyer nga njëra te tjetra, kur iu duhet të shpëtojnë.