Frrok Çupi/

Çfarë po ndodh mes nesh, Greqi- Shqipëri?!

Këtu ka një konflikt, më i rrezikshmi pas vitit 1940. Qeveria e Shqipërisë e ka çuar punën deri te “ekzistenca ose jo” e Panteonit të Zotave të Akropolit. Kryeministri bën si i paditur dhe iu thotë grekëve se “Akropolin ua shpëtoi shqiptari Gjergj Dushmani”. E bën jo pa qëllim, por duke aluduar se Gjergj Dushmani, siç ua shpëtoi, edhe mund t’ua shkatërrojë Akropolin. “Gjergj Dushmani” nuk është as shqiptar, as arvanitas. Mbiemri është ndër-ballkanik, me burim nga Osmanishtja; i përdorur shumë shpesh gjatë luftërave në gadishull. Po pse kryeministri e quajti “shqiptar” krijesën e tij- Dushmanin? Mediat e quajtën “injorant”; por kryeministri aktual edhe kur di diçka, është gati të shfaqet krejt i paditur, mjaft të realizojë një qëllim të caktuar. Me sa duket qëllimi është që të kërcënojë Greqinë,… në emër të kujt?, në emër të ‘fajkonjve” të Luftës, dhe kërcënimit t’i japë ngjyrë ndër-ballkanike. Domethënë “dushman”, që shkon që nga Tirana, Beogradi, Sarajeva e deri në Stamboll.

Edhe diktatori Hoxha e paraqiti një herë veten, jo sylesh, por si “mendjelesh”, dhe bëri një kërcënim si ky. Ai mbajti një fjalim aty nga vitet ’70 dhe citoi: “Ju themi monarkofashistëve grek “kujdes!”. “Kujdes, se Tirana është ngritur tullë mbi tullë, ndërsa Akropoli është prej mermeri!”- tha diktatori ynë. Domethënë iu tregoi grekëve çmimin e Akropolit. Por ai ishte asgjë në krahasim me tani. Tani ndodhemi në stinën kur shpendët grabitqarë të Luftës, “fajkonjtë”, po kërkojnë vend ku të ulen; të ulen diku në pikën më të fshehtë- mjafton.

Të jetë zgjedhur një pëllëmbë tokë mes nesh dhe grekëve për të ulur konfliktin? Këndej rrotull kaluan gjasat. Luftanijet Ruse lundruan nëpër Mesdhe, nuk ndaluan as në portin Ceuta të Spanjës as në Pashaliman; por rrethuan Sirinë. Raketat bërthamore u instaluan në Kaliningrad, në pikën më të afërt të Rusisë me ne- europianët. Sekreatari i NATO-s bëri thirrje, thuajse urgjente: “Na duhen edhe 4000 forca për të rrethuar Rusinë”. Rusia ka gati 330 mijë- sipas shifrave që dhanë në NATO. Ka qenë data 18 tetor; jo një herë e një kohë. Dje Rusia dëshmoi hapur se është për luftë. në një njoftim të Ministrisë së Mbrojtjes, Rusia lëshoi ultimatum mbi Aleppo: “Rebelët të largohen deri te Premten, 4 Dhjetor, ora 19.00”. Pas kësaj bota pret rrezikun.

Fantazma e Aleppos vjen rrotull. Mali- kufi mes Shqipërisë e Greqisë mund të jetë vetëm simbolika e zakoneve të Luftës. Kaq afër nesh mund të jetë nëse i fryjnë konfliktit; nuk i dihet.

As në Luftën e Dytë, në vitin 1940, kush e dinte se pas vrasjes së një shqiptari me mbiemrin Hoxha në kufirin tonë me Greqinë, do të hapej konflikti i madh që edhe sot e lëçisin nëpër studio televizive si “Ligj i Luftës”. As në vitin 1914, 28 Qershor, kush e priste që Lufta e Parë të hapte rrugë në Sarajevë duke vrarë Franz Ferdinandin e Austro- Hungarisë?! As në gushtin e vitit 1949, kush e dinte se Shqipëria do të merrte ushqime në Moskë për të ndjellë konflikt me grekët komunistë të uritur, në malin e Gramozit. Ato ditë “syri iciklonit” komunist kishte menduar se mund ta tërhiqte edhe Greqinë në kampin e vet.

Më duken se të gjitha kanë të njëjtën fytyrë; të gjitha janë provokacione. Kjo që po ndodh aktualisht me kërcënimet e ndërsjellta mes Shqipërisë e Greqisë, është më e rrezikshme se gjithë të parat. Sepse jetojmë kohë më të përparuara; dhe, kësisoj edhe konflikti është më shkatërrimtar. Greqia iu përgjigj kërcënimit nga Tirana, gati njësoj siç Tirana provokoi. Në qeverinë e Athinës u thërrit ambasadori i Shqipërisë, në qeverinë e Tiranës u thërrit ambasadori i Greqisë; siç bëhet në prag konfliktesh. Njësoj në të dy krahët: Që këtej fluturoi “rreziku” i shembjes së Akropolit, nga Athina erdhi “gishti tregues” mbi Himarën. “Kjo që po ndodh në Himarë rrezikon minoritetin grek në Shqipëri!”, deklaroi Ministria e Jashtme e Greqisë. Rreziku ndaj minoriteteve është kudo “zarfi” ku fshihet konflikti. A nuk është kështu në Krime? A nuk është kështu në Ukrainën e mbajtur nga Rusia? A nuk është kështu në Aleppo e në Mosul? Lufta e Tretë po vërtitet mbi kokat e minoriteteve, dhe i bën Amerikën, Rusinë, Nato-n e Vatikanin që t’i venë emrin “luftë e Tretë”. Nuk keni vënë re se kohët e fundit po flitet shumë për pakicat në Ballkan?!

Edhe kryeministri i Shqipërisë “si i pa ditur” zgjodhi një njeri me mbiemër lufte “Dushman”, që është minorancë kudo, në kuptimin se në asnjë nga vendet tona nuk ka vendlindje.

Çfarë po i  “ndjell” fajkonjtë e Luftës mbi malet tona?

Është rentuar konflikti?… Nëse në takimet diplomatike e shtetërore ku falsiteti “njihe Kosovën!”, ka fshehur tjetër gjë dhe është folur për “ngjarje” më të madhe e cila do të shpëtonte shumë afera të këqija qeveritare, atëherë lufta do të ishte “makina” më e mirë e rentuar.

Është akaparuar rajoni?… Domethënë ajo që ndodhi në Malin e Zi, që- siç po komentohet dorëheqja e kryeministrit “për rsye ruse”,- politika i hapi rrugë Rusisë për në detin Adriatik, (me dashje a pa dashje), do të bëhet me dashje nga qeveritë e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë? Shqipëria politike ka një angazhim të hapur ndaj Erdogan të Turqisë- provokator në Ballkan. Nga njëra anë, Erdoganit i duhet konflikti me Greqinë, si një sfidë e vjetër “minoritetesh”. Në anën tjetër Erdogan tenton të ketë “Aleppo-n” e tij në zonën Tiranë- Tetovë- Prishtinë- Sarajevë. Në Tiranë pushtimi filloi në shkolla: Qeveria dje transmetoi një urdhër të Erdogan për heqjen e simboleve të armiqve të tij…

Po ndjehet uri në rajon?… Gjendja ekonomike është shumë e rrënuar. Shqipëria ka 400 mijë familje nën nivelin minimal të jetesës, domethënë një familje katër pjesëtarë- me dy dollarë në ditë. Rreziku është se të uriturit, një ditë i sulen qeverisë. Lufta i trullos mendjet e njerëzve dhe harrojnë stomakun- ja kjo është një arsye për të sulmuar Akropolin.

Ne nuk e dimë, sigurisht. Por pse nuk na e thonë cilat janë interesat e kujt për ta përfshirë në konflikt, të parën, këtë zonë? Interesat e drogës që është ngulur këtu, sigurisht,  jo pa qëllim…Pardje media amerikane shkroi se këtu në Tiranë kanë mbërritur 137 milionë dollarë për të blerë armë e municion. Kanë ardhur përmes një rusi me nofkën “Lord of the War” (Zot i Luftës). Edhe pse media sapo e shpalli, nuk ka asnjë reagim nga qeveria. Çfarë është kjo?

Të presim sa të ulen fajkonjtë?…

/Veritas.com.al/