Një ditë më parë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara, ka komentuar protesëtn e Aleancës kundër Importit të Plehrave, si një “protestë e Partisë Demokratike”. Më poshtë iu ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë “kujdes nga rreziku” duke i këshilluar që të mos paraqiten në ambiente pranë grumbullimit të protestuesve.

Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) ka korrigjuar menjëherë Ambasadën e SHBA në Tiranë duke i bërë të qartë se “protesta është organizuar nga AKIP”, jo nga partitë politike. Të njëjtin korrektim e ka bërë edhe Policia e Shtetit.

Drejtuesja e Aleancës Kundër Importit të Plehrave, Kozara Kati, ka komentuar deklaratën e bërë mbrëmjen e djeshme nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Duke shprehur kundërshtimin e saj për faktin se ambasada amerikane e konsideroi protestën si organizim të opozitës dhe jo të AKIP, Kati ka thënë se do të kërkojë takim me ambasadorin Donald Lu.

“Do kërkojmë takim dhe do i kthejmë pas dekoratën që na kanë dhënë”, tha Kati pr Newsbomb.

Kozara Kati i referohet çmimit që paraardhësi i Lu, Aleksandër Arvizu i dha AKIP në vitin 2013, për kundërshtimin e të njëjtës çështje, atë të importit të plehrave.

“Më 31 korrik, Ambasadori Arvizu i dorëzoi Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP), çmimin “Kampion i ACT Now!” për muajin korrik, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Ambasadën Amerikane. Ambasadori përgëzoi Aleancën për angazhimin e saj civil të mirëorganizuar, i cili mblodhi firmat e më shumë se 60,000 shqiptarëve në mbështetje të referendumit për të ndaluar importin e mbeturinave.  “Referendumi i 23 dhjetorit do të jetë i pari referendum në historinë e Shqipërisë që është nisur nga qytetarët shqiptarë. Udhëheqësit e grupit ishin prezent në Ambasadë për ceremoninë, gjatë së cilës falenderuan stafin e saj për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aktiviteteve civile, të cilat ndihmojnë në ndërgjegjësimin e shqiptarëve”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane të publikuar tre vite më pare.