Me një goditje prej boksieri, Marion Cotillard poston në faqen e saj në Instagram një lajm për jetën e re që mban në bark dhe sulmon shtypin.

Në faqen e Marion Cotillard në Instagram sot në mëngjes, tri gjëra: një foto me një qiell gri – por me yje – që përshkohet nga një zog i zi; konfirmimi i shtazanisë së dytë të saj dhe mohimi i një aventure të mundshme me Brad Pitt – pas hipotezave dashakeqe të shpërndara në media të mërkurën.

“Kjo është i pari dhe i vetmi reagim që kam në lidhje me thashethemin batërdisës që ka filluar 24 orë më parë dhe në të cilin jam përzier pa dashjen time”, e nis Marion Cotillard mesazhin e saj në Instagram.

“Nuk e kam për zakon të komentoj as të marr seriozisht malin me absurditete që po më hedhin përsipër, por situata po merr një kthesë t’atillë dhe po prek njerëzit që unë dua, ndaj më duhet të shpjegohem. Si fillim, e kam takuar ka disa vjet burrin e jetës time, babain e djalit tonë dhe foshnjës që presim sot. Ai është dashuria ime, miku im më i mirë dhe i vetmi burrë për të cilin kam nevojë. Pastaj, për ata që më pretendojnë të dërrmuar, jam shumë mirë faleminderit.

Ky lloj shpikjesh lajthitëse nuk më prek në asnjë rast. Dhe për ta mbyllur, për “shtypin”, për gjithë të nguturit, karremat e kompani që kanë një gjykim kaq të shpejtë ju uroj sinqerisht… shërim të shpejtë. Thënë këto, dhe këtë e kam seriozisht, u uroj Angelinas dhe Bradit, dy njerëz për të cilët kam një respekt të thellë, të gjejnë paqen në një moment kaq të trazuar. Me tërë dashurinë time. Marion”

Një mesazh me klas, shumë klas, që i jep fund me qetësi çdo dyshimi të mundshëm mbi atësinë e fëmijës së saj të dytë. Për kujtesë, New York Post pohonte të martën se Angelina Jolie kishte kërkuar divorcin sepse Brad Pitt e tradhtonte me aktoren franceze. Një thashethem i përhapur nga “një burim i sigurt që e di mirë” dhe që zuri vend në faqet e tabloidit. Një thashethem i pabazë që e dëmtonte me pa të drejtë reputacionin e Marion Cotillard përtej Atlantikut.

http://www3.pictures.zimbio.com/pc/Marion+Cotillard+Guillaume+Canet+Marion+Cotillard+7Obx9JHu9Qwl.jpg