Është ndarë nga jeta në mënyrë të papritur mjeku Flamur Tartari, në moshën 75-vjeçare. Tartari ka pasur 52-vjet në profesion, ndërsa njihet ndryshe si bisturia e artë e mjekësisë shqiptare.

Tartari ka qenë dhe Kryetar i Shoqatës së Urologëve të Shqipërisë dhe punonjës në një nga spitalet private në kryeqytet.

Tartari, në tregimet e tij ka dëshmuar se ka qenë vetëm dhjetë vjeç kur u gjend për herë të parë para një makine që ishte rrëzuar me njerëz të plagosur. Pikërisht kjo pamje do të bënte që nipi i themeluesit të Radiologjisë shqiptare, Ismail Tartarit, të vijonte rrugëtimin e gjatë pranë pacientëve.

Doktori i njohur, në një intervistë për mediat  shprehej se kohët e fundit kishte ndërmend të shkruante dhe një libër për vuajtjet e një kirurgu, po duket se kjo punë është ndalur në mes me largimin e tij nga jeta.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka ngushëlluar familjen e mjekut të njohur Flamur Tartari që ndërroi sot jetë në mënyrë të papritur.

“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të mjekut të shquar dhe të devotshëm, kirurgut Flamur Tartari, intelektualit aktiv dhe të pashkëputur për asnjë çast nga detyra fisnike së cilës i kushtoi gjithë jetën, me humanizëm, modesti e dashuri.

Kontributi i tij në fushën e mjekësisë spikat dhe me botimin e një sërë veprave të rëndësishme kushtuar shkencës së urologjisë dhe njerëzve të shquar të humanizmit dhe të mjekësisë shqiptare.

Duke ndarë me ju dhimbjen e thellë për humbjen e këtij mjeku të veçantë, i përcjell ngushëllimet më të thella të gjithë familjarëve dhe të afërmve të tij e njëkohësisht gjithë bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të të ndjerit Tartari.

Iu prehtë shpirti në paqe!”, shkruan Presidenti Meta.

Veritas.com.al/