Kur themi se kulla “fshihet”, do të thotë se deri tani nuk është thënë asgjë nga Bashkia dhe as nga Qeveria. Por për ta “puna ka mbaruar”, gjithçka është projektuar dhe thuasje është ndërtuar, tashmë. Edhe pse qytetarët nuk dinë asgjë. Këtë e zbuloi gazeta “Shekulli”, botues i të cilës është një nga eksponentët kryesor të Partisë socialiste, Koço Kokëdhima

Një kullë gjigande, mbi 30 kate parashikohet të ndërtohet në hapësirën mes Hotel Tiranës dhe Muzeut Historik Kombëtar në fillim të Bulevardit Zogu i Parë. Ndërtesa është parashikuar të ngrihet sipas projektit të ri për sheshin Skënderbej.

Projekti nuk është ende publik, por është siguruar nga e përditshmja Shekulli, që përshkruan ndryshimet në shesh. Në projekt sipas Shekullit parashikohet edhe ngritja e kësaj kulle, për të cilën ende nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak apo konsultim. Projekti i plotë i sheshit është hartuar në formën e një libri, në të cilin specifikohen të gjitha detajet për sheshin, afatet për punimet dhe metodologjinë e punës për rikualifikimin. Bashkia e Tiranës ka publikuar,në faqen e internetit të prokurorimeve publike, kontratën për fazën e parë të projektit, ku ende nuk janë të qarta ndërtesat e reja që pritet të ngrihen në qendër. Deri më tani kryeministri Rama ka publikuar në Facebook disa foto nga parkingu nëntokësor në sheshin Skenderbej, punimet e të cilit do të jenë të përfunduara në muajin qershor të vitit të ardhshëm.

Deri më tani dihet se sheshi do të jetë vetëm për këmbësorët, ndërsa poshtë do të ketë një parkim nëntokësor për rreth 300 mjete.

Në Agjencinë e Prokurimit Publik, aty ku ka shkuar edhe formulari i njoftimit të kontratës për fazën e parë të rehabilitimit të sheshit, fondi limit është 533 milionë lekë. Punimet për ndryshimin rrënjësor të qendrës së Tiranës do të nisin pas pak ditësh, ndërkohë që koha për transformimin total do të jetë plot 365 ditë. Sheshi pritet të shndërrohet në një piramidë gjigante, të ulët, që fillon ngritjen e ngadaltë nga anët e sheshit drejt qendrës së tij, ku do të arrijë lartësinë 1,5 m.