Mëngjesin e sotëm është shuar në moshën 79-vjeçare poeti vlonjat Lefter Çipa, pas një beteje të gjatë me sëmundjen.

Ai njihet si njeriu që investoi më shumë për polifoninë shqiptare. Lefter Çipa është autor i 18 librave të botuar me poezi si : “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, ” Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”,”Princi i Dashurise”, etj.  Konsiderohej “princi i sotëm” i polifonisë shqiptarë.

Eshtë  autori më kreativ i polifonisë gjatë 40 viteve të fundit. Njëri prej studiuesve dhe hulumtuesve të poezisë orale popullore në trevat jugore të vendit. Autor i mbi 1250 këngësh të interpretuara nga grupet e famshme polifonike si ai i Pilurit (udhëheqës artistik i të cilit ka qenë për mbi 40 vjet), grupet polifonike të Himarës, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.

Lefter Çipa është edhe autori i papërsëritshëm i këngëve të vlerës së lartë artistike dhe muzikore si “Bejkë e bardhë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Zoga kaçake në male”, “Këngë kurbeti”, “Vito Pëllumbesha”, “Hënëz e qiellit të gjerë”, “Moj unaza gur jeshile”, “N sokak të ngushtë”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Kënga e manushaqes”, ” Zonjë e bukurisë”, etj.

Ka qënë pjesmarrës me krijimet e veta në 6 Festivale Folklorike Kombëtare të zhvilluara në Gjirokastër, Berat dhe Lezhë duke qënë i lauruar në çdo Festival Kombëtar.

Lefter Çipa mbahet mend si bashkëorganizatori nismëtar i trios së famshme Vlonjate. Do të mbetet burimi ku ushqehen shumica e këngëtarëve dhe kompozitorëve të sotëm modernë shqiptarë dhe ku shumica e këngëtarëve kanë preferuar që në repertorin e tyre të kenë të kryerenditur poezitë dhe lirikat befasuese të këtij autori.

Lefter Çipa është babai i gazetarit të njohur, njëherësh kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptar, Aleksandër Çipa.

VERITAS.COM.AL