Performanca e Luiza Gegës në 3 mijë metrat me pengesa emocionoi të gjithë shqiptarët. Por vajza nga Burreli nuk ishte e vetmja shqiptare që fitoi në finalet e Kampionatit europian të atletikës.

Kampione e Europës u shpall edhe Elina Zhengo, e lindur në Greqi nga prindër shqiptarë nga Korça, që dominoi garën e hedhjes së shtizës me hedhjen 65 metra e 81 centimetra.

Vetëm 19 vjeç, Elina ka lindur në afërsi të Kalkidikisë, dhe cilësohet si ylli i disiplinës botërore. Ajo nuk ka mohuar kurrë origjinën e saj shqiptare, edhe pse ka preferuar të marrë në 2018 nënshtetësinë  e vendlindjes, ku është rritur dhe stërvitur në këtë sport që vendit fqinj i ka dhënë një tjetër protagoniste shqiptare.

Bëhet fjalë për durrsaken Mirela Manjani, që pas fillimeve në Shqipërinë që përfaqësoi edhe në Olimpiadat e Atlantës në 1996, emigroi në Greqi ku mori nënshtetësinë dhe  fitoi ndër të tjera medaljen e argjendtë dhe të bronztë në olimpiadat e Sidneit dhe Athinës, dhe dy herë u shpall kampione bote.