Shërbimi Informativ Shtetëror ka një listë të personave të dyshuar për akte të mundshme terroriste në Shqipëri. Masat antiterror që u morën pak ditë më parë janë rezultat i një grupimi të caktuar personash, që kanë lidhje me elementë radikalë, jashtë vendit. ABCNEWS raporton se prej disa javësh agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror kanë në duar një listë me emrat e këtyre personave, që mbahen nën vëzhgim.

Televizioni ABCNEWS raporton se lidhjet e ketij grupimi personash, janë me elemetë të skeduar nga Kosova dhe Bosnje Hercegovina. Në këto vende, grupimet radikale janë në formën e organizatave bamirëse. Këto organizata, dyshohet se kanë hapur degë të tyre edhe në Shkodër e Tiranë, pikërisht në zonën e Kamzës. Lidhjet e tyre shtrihen edhe me besimtare muslimane rezidentë në qytetet e Kavajës, Cërrikut, Pogradecit, Elbasanit dhe Librazhdit. Këto individ, mësohet se janë edhe frekuentues të rregulltë të xhamive, të cilat nuk janë nën juridiksionin e Komunitetit Musliman të Shqipërisë. 

Policia ka shtuar masat e sigurisë edhe në pikat e kalimit kufitar. Në Hanin e Hotit, Muriqan, Morinë dhe Kapshticë është intensifikuar vezhgimi i forcave antiterror. Nëse pikaset një nga emrat e kësaj liste, atëherë nuk i lejohet të dalin nga territori shqiptar. Madje, personat që janë pjesë e listës dhe që jetojnë jashte vendit, nuk lejohet të hyjnë në territorin shqiptar.
Burimet pranë policisë së shtetit thonë se masat e sigurisë janë përqëndruar pranë rezidencave të personelit diplomatik, të akredituar në Shqipëri si dhe pranë Ambasadave të tyre. Informacioni i ardhur nga agjensitë e huaja e vë theksin pikërisht tek këto ambiente, ndërtesa apo edhe vende që frekuentohen nga rezidentët e huaja.