Frrok ÇUPI

Polici nuk mund ta dinte se zonja para tij quhej Mimoza. Polici, një harresë nga mbiemrat e nomenklaturës komuniste, nuk është aty për të ditur; është për dhunë…. Zonja Boçari, me emrin Mimoza, e mirënjohur në historinë tonë të qytetarisë, duket se ishte shënjuar për t’u dhunuar e para publikisht, si një fillim stinor violence. Pikërisht siç fillon stina e parë e vitit me lulen e mimozave. Dy fillime të menjëhershme: Stina dhe lulja e parë e saj. Marrëzia e qeverisjes alias Rilindase, në kulmin e nervozizmit, ka qëlluar publikisht, së pari mbi të parën.

Duket si biblike, por ky është fillimi “më i mbarë” i dhunës së hapur shtetërore. Më i mbarë, domethënë se ka nisur që nga fillimi i gjërave. Para dy ditësh, në mes të Parkut të Madh të Tiranës, Policia e Shtetit, në përpjekje për të mbrojtur mafien, ka dhunuar së pari një zonjë. Kjo ndodhi në mes të pyllit, aty ku qytetarët e Kryeqytetit historikisht çlodhen, marrin frymë e bëjnë dashuri, aty ku krenohen e ku e dallojnë qytetin e tyre prej të tjerëve. Dy krerët kryesorë, miq të ngushtë, thuajse si Adolfi dhe Jozeph gjatë Luftës së Dytë, kanë vendosur të betonizojnë dheun e butë dhe barin e Parkut e pastaj ta kthejnë në pasuri për vete; o si restaurant, o si pallat disa katësh, o si një përbindësh tjetër.

Radha e nisur në dhunë duket vërtet biblike.

Në dy sense-si radhë biblike.

E para është radha e bimëve të gjalla në pyll. E nisën me bimën më delikate, “mimozën”. Mimozat e kanë pushtuar thuajse gjysmën e këtij parku. I rrënojnë çdo vit dashamirësit e ashpër të luleve, i rrënojnë edhe tregtarët e vegjël. Mirëpo mimozat nuk janë dhunuar kurrë si kësaj here. Dhuna shtetërore mbi “green part” në park dhe mbi një zonjë me emrin e mimozës, ka tronditur të gjithë. Forcat policore, publikisht, rrahën e dhunuan dhjetëra qytetarë të Tiranës që protestonin kundër grabitjes së gjelbërimit, të frymës dhe tokës së butë në parkun e tyre. Dhjetëra qytetarë aktivistë kundër dhunës dhe plaçkitjes u hodhën në qelitë e policisë. Terrori mbuloi gjithë ekranet televizive dhe mbolli frikë në gjithë vendin.

Ja kështu nisi dhuna në sensin e pemës së gjallë. Nisi me mimozën dhe së shpejti pritet të përfundojë me pishat, lisat dhe shelgjet jetëgjatë. Dhuna mbi natyrën është njësoj si dhuna mbi njeriun. Nis me bimën më delikate dhe mbaron te lisat e fuqishëm. Dhuna, sidomos dhuna shtetërore, i merr viktimat sipas radhës. I merr duke nisur nga më e dobëta deri te gjëja më e fortë. Të fortët nuk mund të mposhten pa mposhtur fillimisht të dobëtit. Sepse edhe dhuna është e frikësuar, prandaj e nis këndej, nga poshtë.

Kësaj here e nisën me Mimozën, një zonjë delikate, mjeke, humaniste, e qartë dhe brishtë.

Radha e dytë fillon nga njeriu më i ndjeshëm dhe merr të gjithë me radhë, një nga një. Ata që mendojnë se shpëtuan, pasi u dhunua Mimoza, gabohen; madje e bëjnë edhe më të rëndë peshën e dhunës mbi vete. Dhuna është tinzare, ajo i merr të gjithë, por një nga një derisa të vijë puna te “lisi” i fundit me kokën në qiell.

Të gjitha llojet e dhunës kanë bërë kështu, që nga lloji nazist e deri te lloji komunist. (Në këtë rast jo vetëm polici dhunues ka mbiemër nga nomenklatura komuniste, por edhe të gjithë qeveritarët janë pinjollë të diktatorëve komunistë).

Dhuna naziste nisi po kaq thjesht, po kaq butë. Jo në një park, por në një rrugicë qyteti në Gjermani.

Një natë trokitën esses-ët në derën e banesës së parë të rrugicës. Kaq ishte, veç fillimi, të tjerat u rokullisën njësoj si të dhunuarit në Parkun e Tiranës.

Në Gjermani, atëherë, në kohën e Adolf dhe të Joseph:

– Bam, Bam, Bam!, gjëmoi rëndë një derë.

– Kërkojmë çifutë!- kërcënoi zëri i ashpër i esses-it tek i binte derës me furi.

Te porta doli një grua dhe tha se ishte çifute. I morën të gjithë që ishin çifutë. Të tjerët ranë në gjumë e nuk u ndjenë. Të gjithë thanë se “nuk ishin çifutë” dhe esses-ët nuk kishin punë me ta.

…Një natë tjetër trokitën prapë portat. Kësaj here Esses-ët kërkonin mësuesit.

Tre a katër mësues që ishin në rrugicë i morën, ndërsa të tjerët që nuk ishin mësues iu kthyen gjumit. “Nuk jam mësues!”, tha secili dhe u qetësua me fatin e vet.

Një natë tjetër kërkuan komunistët…. Pastaj kërkuan gratë shtatzënë… I morën një nga një e grupe-grupe. Ai që mbeti në rrugicë nuk ishte as komunist, as grua shtatzënë, dhe fjeti. Por ishte i fundit njeri në rrugicë.

Erdhi nata kur e kërkuan me emër. Atëherë nuk kishte më kush të protestonte, as kush të fliste, as kush të flinte në rrugicë. Dhuna naziste i mori të gjithë, por një nga një…

… Kështu e bën dhuna me njeriun. E nis me një zonjë, me disa studentë, me disa aktivistë ambienti, e pastaj troket derë më derë nëpër qytet. Merr parkun, merr paratë publike, blen të drejtën e votës, merr të drejtën arrogante që të mos përgjigjet e të mos japë llogari për krimet, dhe kaq.

Po heshte, kjo është puna jote…

Në qoftë se njerëzit do të heshtin për dhunën në Parkun e Madh të kryeqytetit, atëherë nuk dihet më se cili e ka radhën. Radhën do ta kenë të gjithë. Këta qeverisës vijnë nga dhuna dhe janë ngarkuar me pasionin që ushqen urrejtja kundër njeriut plus mafia shtetërore. Këta i përfaqësojnë të dyja. Prandaj “nuk janë të fajshëm” në qoftë se do ta thellojnë dhunën. Kur u votuan, në menu kishin edhe urrejtjen kundër njeriut, sidomos kundër njeriut që shembi diktaturën komuniste. Kryeministri i tyre tani guxon e i quan “të gjithë budallenj”, nesër do t’i “bëjë sapun”… Por kanë edhe pasionin për të rrëmbyer gjithçka prej këtij njeriu të munduar.

Fajtorë janë ata që do ta pranojnë dhunën që nisi me Mimozën.

Ka nisur qartë dhe “së mbari”, ka nisur me lulen e parë. Stina e dhunës ka nisur.