Shteti Islamik, që vrau 102 persona në Ankara me sulmet terroriste të njëpasnjëshme, kishte planifikuar disa të tjerë gjatë kohës kur në Antalia zhvillohej Samiti i G20-ës me synimin për të vrarë liderët botërorë. Plani ishte që ata të shpërthenin bomba në hotelet ku ishin vendosur, krerët e shteteve, pasi hotelet ishin “eksploruar” prej xhihadistëve. Por, autoritetet turke kanë arritur t’i parandalojnë njërin pas tjetrit në kohë. Kështu njofton gazeta e përditshme turke Hurriyet.

Sipas gazetës, Zyra e Prokurorit të Rrethit kishte paralajmëruar për një sulm të gjerë të mundshëm dhe kishte marrë masat e duhura. Besohet se celula xhihadiste kishte pranifikuar 26 sulme në 18 qytete të Turqisë. Celula drejtohej nga Junus Durmaz, që pretendohet se është lideri I ISIS në qytezën jugore Gaziantep dhe që është përfshirë në sulme. Sipas Hurriet, ky informacion ka dalë nga një kompjuter i tij i gjetur gjatë hetimeve që u bënë për sulmet.
Forcat e sigurisë gjetën gjithashtu dhe një depo armësh, që përmbante gjashtë pushkë AK-47, një pistoletë, 22 granata dore dhe sasi të madhe municioni në shtëpi Durmaz në Gaziantep, afër kufirit me Sirinë.