Nesër Komisioni Qendror Zgjedhor do të vendosë për deputetin apo deputeten që do të zëvendësojë Mark Frrokun në mandatin e tij të dorëhequr të deputetit. Sipas të gjitha gjasave zëvendësuesja do të jetë një grua.Numri 3 në listën zgjedhore të Partisë Kristian Demokrate, Mirela Ferracaku, e cila bëhet automatikisht deputete, pasi numri 2 në listën e kësaj partie, Arben Frroku është në arrati.
Po kush është zonja Ferracaku? 

Sipas të dhënave të pakta që vijnë nga CV-ja e saj, Ferracaku ka lindur me 23 dhjetor në fshatin Trush të Shkodrës. Arsimi i saj është i mesëm dhe rezulton se nuk ka kryer studime universitare.
Deri në vitin 2012, Ferracaku ka punuar si ndihmësmjeke në Komunën Berdicë, Në këtë vit ajo ka nisur tentativat për të hyrë në politikë. Fillimisht është afruar me partinë e Bamir Topit, Fryma e Re Demokratike dhe më pas me Partinë Kristian Demokratike.
Aktualisht thuhet se Ferracaku ndodhet jashtë vendit për arsye shëndetësore, ndërkohë që nëse merr mandatin e deputetes, ditëlindja e saj e 32-të mund të quhet një ditëlindje fatlume, pasi vetëm një ditë më pas me datë 24 dhjetor do të betohet si deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë.