Operacionet për shuarjen e zjarreve në të gjithë vendin kanë vijuar edhe përgjatë 24 orëve të fundit, kur janë shënuar 10 vatra në disa qarqe. Në këto operacione janë angazhuar 70 zjarrfikës, 15 automjete, 70 pjesëtarë të ushtrisë, mbi 40 punonjës të Shërbimit Pyjor dhe bashkive, e dhjetëra qytetarë vullnetarë, të mbështetur edhe nga helikopterë.

Emergjencat Civile njoftojnë se situata vijon të mbetet në monitorim të vazhdueshëm në mbarëvendin, ndërkohë që u bëjnë thirrje për të disatën herë qytetarëve që të njoftojnë në numrat e emergjencave, në rast se konstatojnë zjarre.

Operacione në vijim ka në fshatin Orosh të Mirditës, ku zjarri është vënë nën kontroll pasi ka djegur sipërfaqe të konsiderueshme me ferra e shkurre; në fshatin Bulçar të Gramshit dhe fshatin Hasmashaj të Peqinit, ku janë djegur ferra e ullishte 10-vjeçare.

Zjarre të tjera që kërcënonin edhe banesa, veç dëmeve në bimësi, nga sa raportohet janë shuar. Disa të tilla janë ato në disa pika turistike të vendit, si në fshatin Theth të Shkodrës, në fshatin Navaricë të Finiqit, rreth 3 km larg “Syrit të Kaltër”, si dhe në kufirin ndarës mes Lekasit e Voskopojës, në Korçë.

Ndërkohë, zjarri në vendgrumbullimin e mbeturinave në qytetin e Lushnjes është shuar, edhe pse rrezikonte të përhapej, sikurse edhe një vatër në fshatin Goraj të Kuçovës.

Veritas.com.al/