Ish-kryeministri britanik Toni Bler (Tony Blair) dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të vizitojnë këtë të hënë (10 qershor) Prishtinën në këtë datë historike, e cila përkon me çlirimin e Kosovës 25 vite më parë.
Sipas KosovaPress e cila ka bërë publike dhe axhendën e dy liderëve, Toni Bler i cili ka luajtur rol udhëheqës gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 që ndaloi përparimet e forcave okupatore serbe dhe ndihmoi Kosovën të fitonte pavarësinë, do t’iu adresohet me një fjalim deputetëve të Kosovës nga ora 10:00.
Më pas rreth orës 12.30, Bler do të pritet nga kryetari I bashkisë së Prishtiës, Përparim Rama. Gjatë këtij takimi në objektin e ndërtesës së vjetër të Komunës së Prishtinës, ish-kryeministri britanik do të nderohet me dy çmime, Çelësi i Qytetit dhe Qytetar Nderi i Kryeqytetit. Çmimi Çelësi i Qytetit do t’i dhurohet edhe kryeministrit Edi Rama gjatë takimit me kryebashkiakun e Prishtinës rreth orës 16:00.
Kryeministri Edi Rama është i ftuar të merr pjesë në panelin e parë të konferencës ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Fondacioni Ibrahim Rugova, duke filluar nga ora 11:00.