Lulzim Basha/
Në fushatë do të ketë fishekzjare, do të ketë truke, do të ketë gjeste dhe batuta që i ka shumë qejf Edi Rama, vdes për batuta, e dini ju. Të gjitha këto kanë një qëllim të heqin vëmendjen e qytetarëve nga çështjet kryesore që shtrohen për zgjidhje.
Çështja kryesore që shtrohet për zgjidhje është: A kemi sot më shumë vende pune?
A kemi sot taksa më të ulëta?
A kemi sot shëndetësi falas?
A kemi sot universitete me tarifa më të ulëta për më shumë studentë?
A kemi sot çmimin e energjisë më të ulët?
Po fermerët a kanë marrë subvencione?
A keni pensione më të larta, pensionistë?
E pra, këto janë çështjet për të cilat gjithsecili prej jush do të bëjë llogaritë e do të vendosë me votë me 25 qershor.
Republika e vjetër u shpalos më në fund, e nxori fytyrën e vërtetë, është një komplot i një grushti politikanësh që e përdori politikën siç e do vetë Edi Rama si lojë shahu dhe qytetarët si gurë shahu. Për ta ky është thjesht një teatër kukullash, një shfaqje për t’i marrë mendjen një populli të tërë ndërkohë që zhysin duart e tyre në asetet e vendit, në xhepat tuaja, në taksat tuaja dhe ditë për ditë ju varfëroheni dhe një grusht politikanësh varfërohen.
Kjo duhet të marrë fund. 300 mijë vende pune premtoi. Askush nuk e harron. Premtoi shëndetësi falas. Premtoi se 97% e shqiptarëve paguanin më pak taksa dhe sot nga mëngjesi deri në darkë merret me gjithçka tjetër përveçse të japë llogari para shqiptarëve, me gjithçka tjetër, me ekipin tim. Ok e kuptoj që merret, e shan. E shan sepse ekipi im e frikëson sepse është ekipi juaj, sepse është ekipi i fitores.
Ka për borxh të merret me gjithçka në këtë botë, me qen e me mace dhe vetëm refuzon t’u thotë shqiptarëve pse nuk i hapi 300 mijë vende pune?
Pse nuk e bëre shëndetësinë falas?
Pse nuk ule taksat siç premtove?
Pse nuk i mbështet pensionistët siç premtove?
Pse nuk i mbështet shtresat në nevojë siç premtove?
Refuzon t’ua thotë shqiptarëve.
Sonte e ftoj këtu nga Fieri për një debat televiziv me kandidatin për Kryeministër të Republikës së Re. Edi Rama mund të shëtisësh në Shqipëri duke treguar barcaleta por nuk i çon dot katër javë me barcaleta.
Eja në debat, bëj bilancin tënd! Unë bilancin tim! Ti programin tënd! Unë programin tim dhe qytetarët të vendosini me votën e tyre. Ftesën e bëra publike. Po s’e pate dëgjuar po ta nis edhe me shkrim.