Nga: Julie Falcoz

Një studim amerikan zbuloi se vajzat e vogla 6 dhe 7 vjeçare ka më pak të ngjarë ta konsiderojnë veten të zgjuara krahasuar me djemtë e të njëjtës moshë.

Stereotipet krijohen që në moshë të vogël, për fat të keq kjo dihet. Që nga përrallat ku princeshat, e brishta, presin Princin e kaltër që t’i zgjojë e deri te pabarazitë në lidhje me shpenzimin e parave në Angli, vajzat dhe djemtë nuk rriten me të njëjtat armë në jetë. Vajzat e vogla, që nga mosha 6 vjeç, kanë më pak gjasa t’i konsiderojnë gratë inteligjente, krahasuar me djemtë e të njëjtës moshë për të cilët burrat janë inteligjentë. Ky konstatim është rezultat i një studimi të realizuar nga revista amerikane Science. 400 fëmijë, të moshave 5 deri 7 vjeç, kanë kaluar disa teste. Një prej të cilëve ishte të tregonin një histori të shkurtër me një “njeri me të vërtetë të zgjuar”, pa specifikuar nëse ky duhej të ishte grua apo burrë. Në moshën 5 vjeç, vajzat ashtu si djemtë, pohojnë se ky njeriu i zgjuar ka të njëjtën gjini me ta. Por, në moshën 6 dhe 7 vjeç, vajzat që pohojnë këtë janë shumë më pak, nga 20 deri 30%, krahasuar me djemtë të cilët “njeriun vërtet të zgjuar” vazhdojnë ta gjejnë brenda gjinisë së tyre.

Nota të mira dhe inteligjenca… s’është e njëjta gjë

Autorët e studimit kanë pyetur gjithashtu fëmijët të gjejnë se kush, ndër dy djem dhe dy vajza, kishte marrë nota më të mira në shkollë. Në këtë rast specifik, të gjithë mendonin se vajzat ndoshta kishin nota më të mira, çka sugjeron se ata bëjnë një dallim midis faktit të të qenit “i zgjuar” dhe performancës shkollore që bazohet në studimin dhe përpikmërinë. Sindroma e nxënëses së mirë pa dyshim…

Së fundi, fëmijët patën mundësinë për të zgjedhur në mes dy lojrave: njëra për “fëmijët shumë shumë shumë të zgjuar”, dhe tjetra “për fëmijët që bëjnë shumë përpjekje”. Vajzat nga 6 deri 7 vjeç treguan më pak interes sesa djemtë e të njëjtës moshë për lojën e destinuar për fëmijët “e mençur”, ndërkohë që në moshën 5 vjeç nuk kishte asnjë ndryshim në zgjedhjen e vajzave dhe djemve.

Sipas një prej autoreve, Lin Bian, studiuese në Universitetin e Ilinoisit, këto rezultate mund të shpjegojnë se si zhvillohen stereotipet dhe se si e përcaktojnë ato karrierën e grave, pse janë më të pakta gratë që përqafojnë këto disiplina të konsideruara “të vështira” si fizika apo inxhinieria. Një sondazh i kryer në nivel universitar, botuar gjithashtu në revistën Science në janar të vitit 2015 arriti në përfundimin se stereotipi sipas të cilit meshkujt janë më të ndritur intelektualisht penalizon gratë në Shtetet e Bashkuara, konkretisht në fushat shkencore. “Rezultatet e studimit mbështesin hipotezën sipas së cilës bëhet fjalë për paragjykime të pandërgjegjshme të rrënjosura në stereotipet rreth burrave dhe grave në shoqërinë tonë”, shpjegoi më pas Andrei Cîmpian, profesor i psikologjisë në Universitetin e Ilinoisit, bashkë-autor i studimit.

/Veritas.com.al/