KADARE
Nga: Edison Ypi
Kadare
Skënderbeu ishte mit.
Ali Pasha qe një despot, një gjakatar.
Naimi ishte qiri, fyell, bilbil gjyzar.
Ismail Qemali, diplomat perandorak, negociator, semafor.
Lasgushi, harpë, violinë, gjëmim, shkrepëtimë.
Fishta, rapsod, lahutë, çifteli.
Migjeni, fije bari, brisk, biçak.
Ahmet Zogu, murator, ndërtimtar, tullë, gur, mur, çekiç, sqepar.
Konica, kompjuter.
Noli, Internet.
Diktatori, tytë, shul, kondak, çizme, vezme, bunker, plumb, litar, sapun, varr.
E kështu me rradhë, secili ka qënë diçka.
Po Kadare, çfarë është Kadare ?
A ishte Kadare, për shembull, furrnaltë rrethuar nga leckamanë që luftonin dhëmb për dhëmb me zjarrin dhe metalin për të çarë bllokadën, që shkrinin çelik, bënin “me forcat tona” plugje dhe zinxhirë traktorësh që “të sigurohej buka në vend” ? Kadaresë nga këto i vinte për të vjellë.
A është Kadare bakllava me sherbet. Që shqiptarët e hanë, ngopen, kthejnë një gjym me ujë, gromësitin, dhe duke shtriqur thonë; Rrofsh o Kadare që na ngop me ëmbëlsira dhe nuk na kërkon asgjë.
Kadare në asnjë rast dhe për asnjë çast nuk ka qënë dhe nuk është ëmbëlsirë.
Pretendimi idiotesk që Kadare të ishte i ëmbël vinte dhe vjen nga ca gomerë që nuk kanë haber nga Letërsia.
Parazitët, frikacakët, dinakët, donin që Kadare tua bënte qefin si vigan, si katallan, që kthen lumenj, ndal tërmete, than përmbytje, shpëton turmat nga vdekja.
Për t’i ndihmuar t’i zinte gjumi rehat dhe të shihnin ëndërra të bukura, a ishte Kadare një qetësues, një gjumëndjellës, një kamomil, për ata që prangat dhe zinxhirët i farkëtonin vetë ?
Kadare s’ka qënë kurrë qetsues, çaj, valium. Kadare dhe gjumi s’takohen kurrkund.
Nuk kanë munguar idiotat që Kadaren e kanë dashur të ishte një supermen me sharrë e gërshërë kovaçi ndër duar, që të këpuste zinxhirë, pranga, tela me gjëmba. Të fluturonte si zog. Të hynte nëpër burgje, në Spaç, në Burrel. Të vriste rojat me kalashnikov. T’i çlironte të burgosurit. T’i lante, t’i shplante, t’i vishte, t’i mbathte. T’i merrte me të mirë. Tu bënte muhabet, t’i ngushëllonte. Tu thoshte; “Zotërinj, e di që keni lexuar e komentuar librat e mia. Keni pritur prej meje më tepër se nga Amerika dhe NATO. Ja ku erdha. Taksiratet tuaja mbaruan.
Kadare, shumë më tepër se sharrë, gërshërë, supermen, me veprën e vet u dha shqiptarëve një pasqyrë për të parë veten dhe kohën. Pasqyrë konkave, konvekse, të sheshtë, të rrudhosur, të përmbysur, të bardhë, të zezë, të krisur, të thyer, të coptuar, në varësi të rrethanave.
Me anë të kryeveprave të tij, Kadare ua ndriçoi mendjet dhe ua lehtësoi jetën shqiptarëve më tepër se të gjitha sharrat, gërshërët, çekiçat, elektroshtëpiaket, lavatriçet, thekset e bukës, hekurat e korentit, pianot, kitarrat, violinat.
I riu, i vjetri, komunisti, burokrati, ushtaraku, i përndjekuri, i burgosuri, të gjithë lexonin Kadarenë. Por lexuesit më të vëmendshëm të Kadaresë ishin Sigurimi dhe diktatori, të cilët Kadare i mposhti.
Kujt nuk i besohet se Kadare ishte më i fuqishëm se diktatura, diktatori, Sigurimi, janë ata që skllavërinë e kanë në gjak, diktaturën në mendje, diktatorin në bark, Sigurimin në shpirt.
Kadare është refuzuesi më i madh i fëlliqësirës më të ndyrë në Letërsi, pisllëkut më të preferuar të mediokërve, të folurit për veten, autoreferencialitetit.
Mes miliona fjalëve, Kadare nuk shkroi kurrë “unë”, që lapangjozët e kanë të tretën fjalë.
Kadare është një perfeksionist, një kompjuter që kurrë nuk ka për tu shpikur.
Kadare është një mendimtar fenomenal që kohën nuk e përdor për gjë tjetër veçse për të shkruar ato që i ka ditur qysh kur ka lindur.
Kadare është Gjeniu, të cilin, në kohën e duhur, për të mos i lënë të ngordhnin, shqiptarëve ua solli Zoti.