Një gomone me 685 kg kanabis është gjetur pas mesnate e fshehur në pyll pranë Lumit të Vjosës. Sipas policisë së Vlorës, mjeti lundrues është gjetur rreth 1 km larg grykëderdhjes së lumit, dhe brenda saj gjendeshin pako dhe çanta të cilat përmbanin lëndë narkotike të dyshuar si Cannabis Sativa. Operacioni masiv për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe kundër kultivimit të bimëve narkotike, është realizuar nga forcat e Drejtorisë së Policisë Kufitare dhe Migracionit Vlorë, Drejtorisë Vendore e Policisë Vlorë, Reparti Delta Force dhe GdF.

“Gjatë mesnatës, pas një pune hetimore disa ditore mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, u bë e mundur gjetja e një gomoneje me drogë, e fshehur në pyll pranë Lumit të Vjosës, rreth 1 km larg grykëderdhjes së saj, ku brenda së cilës gjendeshin pako dhe çanta të cilat përmbanin lëndë narkotike të dyshuar si Cannabis Sativa. Në këtë mjet dhe pranë tij (të hedhura në tokë) janë gjetur gjithsej 67 pako dhe 4 çanta, të cilat pas peshimit kanë rezultuar me peshë të përgjithshme prej: 685 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis Sativa që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, – thuhet në njoftimin e policisë.

Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me njëra-tjetrën, vijojnë kërkimet duke krehur zonën tokësore përreth, por edhe atë ujore, me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

/Veritas.com.al/