Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për mjekun kardio-kirurg, Edvin Priftin.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar, Edvin Prifti, me detyrë Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, si mjek kardiokirurg, të paktën në shtatë raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Në momentin e arrestimit, nga kontrolli i banesës, dhe i zyrës së të pandehurit, janë gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme monetare në CASH, për të cilat nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri nuk mund  t’i justifikonte me burime të ligjshme, shuma të cilat dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale, dhe më konkretisht shumat prej 256.800 Euro, 7.600 Dollarë Amerikanë dhe 15.435.000 Lekë.

Ndaj Priftit, është kryer një hetim i plotë pasuror dhe financiar, dhe në përfundim janë sekuestruar në gjashtë llogari bankare pranë Bankave të Nivelit të Dytë, edhe shuma monetare në vlerën prej 177.497 Euro, dhe 52.479.368 Lekë. Shumat totale të sekuestruara gjatë hetimit paraprak janë 434 319 Euro, 67 914 368 Lekë, si dhe 7 600 USD.

Hetimi ka provuar se, i pandehuri prej vitit 2018, e në vijim, ka kërkuar nga subjekte të ndryshme tregëtare të cilët ushtrojnë veprimtarinë në fushën e ofrimit të shërbimeve mjekësore etj., fatura tatimore fiktive, të cilat më pas janë paraqitur pranë organeve tatimore, me qëllim jo vetëm për të justifikuar shumat monetare, por edhe për të rritur fiktivisht shpenzimet me qëllim shmangien nga detyrimet tatimore.

Edvin Prifti është pajisur me fatura fiktive, të cilat pasqyrojnë blerjen fiktive të sendeve dhe paisjeve mjekësore nga subjektet tregtare në emër të tij, me qëllim rrijtjen e kostove dhe shmangien nga detyrimet tatimore, por edhe për të justifikuar shumat e derdhura Cash në llogaritë e këtyre bizneseve, shuma të cilat më pas janë tërhequr prej tij, dhe janë depozituar në llogaritë personale. Në këtë mënyrë ai ka justifikuar burimet e të ardhurave, pa origjinë të ligjshme të cilat megjithatë nuk janë justifikuar plotësisht.

Në sajë të detyrës së tij, si Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, pasi ka përfituar një Grant në shumën 8,973 USD, nga një fondacion me qëllim financimin e një projekti që do të implementohej në Shërbimin ku ai drejtonte, rezulton se nuk ka investuar të gjithë shumën monetare të Grantit, por i ka përfituar për interesa personale.

Prifti ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal.