Këshilli i Lartë Gjyqësor po mendon për një gjykatë të re të Apelit, me mbështetjen e qeverisë pritet të nisë projekti.

Kështu konfirmoi drejtuesja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, gjatë një konference për mediat.

“A do ta kemi këtu ku jemi, duke ndërtuar një godinë të re dinjitoze, për të pasur një trupë prej 78 gjyqtarësh apo do ta kemi në një vend tjetër për ne nuk ka rëndësi. Për ne ka rëndësi që ne të kemi një njësi të mirë shërbimi që t’i ofrojmë qytetarit shërbim cilësor në kohë reale”, u shpreh fillimisht juristja.

Gjykatat e Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës, Korçë dhe Gjirokastër do të vazhdojnë çështjet që kanë filluar gjykimin edhe pas riorganizimit të fazës së parë të hartës së re gjyqësore nga 1 shkurti.

KLGJ-ja u ka dërguar vendim të formës së prerë Gjykatave të Apelit në rrethe dhe duke nisur nga e mërkura ato do të mbyllen dhe do të funksionojë vetëm Gjykata e Apelit në Tiranë.

“Çdo çështje që ka filluar gjykimin në gjykata e dikurshme të Apelit do vazhdojë gjykimi. 1 mijë e 868 çështje që vazhdojnë. 27 mijë çështje i janë bashkuar Tiranës, janë gati për t’u rishortuar në trupën gjyqësore. Sipas llogaritjeve, çdo gjyqtar i kësaj gjykate do të ketë rreth 1 mijë e 80 çështje”, shtoi Llagami

Sipas saj, çdo gjyqtar i Apelit ka më pak çështje se sa një gjyqtar i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë që ka shkuar në 1 mijë e 500 çështje.

“Puna që ne do bëjmë këtu dhe mbështetja që do të kemi këtu padyshim që do ketë një impakt të madh në uljen e dosjeve dhe dhënien e shërbimeve për qytetarët. KLGJ-ja ka marrë masa për staf administrativ cilësor”, garantoi kryetarja e KLGJ-së.

Llagami theksoi ndër të tjera se qytetarët do i bëjnë kërkesat në vendet ku kanë qenë gjykatat e Apelit dhe se atje do t’i marrin të gjitha informacionet lidhur me çështjen e tyre gjyqësore.

“Çfarë do ndodhë me qytetarët? Nuk do ketë pengesë.  E vetmja pengesë që do ketë qytetari është se nuk do ta ketë gjyqtarin të aksesueshëm. Qytetari do ta marrë shërbimin aty ku e ka marrë për gjithë këto vite, pra në godinën e gjykatave të mëparshme të Apelit dhe aty do të marrë një shërbim, i cili do të jetë jo vetëm i lidhur me informacionin, për të depozituar të gjitha aktet që duhen dhe të gjitha kërkesat që duhen për një gjykim në Apel apo një gjykim në Gjykatën e Lartë, por edhe për informacion për dosjen e tij në Gjykatën e Apelit”, ravijëzoi drejtuesja.

Në përmbyllje të fjalës së saj, juristja vërejti se implementimi i hartës së re gjyqësore nuk ishte procesi i lehtë, pasi mori tre vjet.

“Nuk ishte diçka e thjeshtë, pasi përballeshim çdo ditë me prioritete. Nuk do ishte bërë nëse ne s’do kishim edhe mbështetjen e partnerëve tanë. Me gjithë kundërshtitë dhe dilemat arritëm ta miratonim se e kuptuam që ishim në një rrugë pa kthim”, tha Naureda Llagami.