
Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erion Veliajt, ka reaguar me anë të një statusi të gjatë në Facebook mbi akuzat që janë ngritur nga SPAK ndaj saj dhe kreut të bashkisë së Tiranës, i cili ndodhet në paraburgim.
Ndër të tjera, ajo shkruan se është “marrë peng me dhunë në këtë valle shpatash e thikash mediatike dhe e konfirmuar si peng nga një trupë paragjykuesish”.
Xoxa ka çmontuar dhe akuzat publike se ka shpenzuar mbi 800 mijë euro për blerje online.
Reagimi i plotë:
Të gjithëve ju që më lexoni, ju kërkoj të parafytyroni vetëm faktin që unë jam e hetuar, por jo e pandehur, pavarësisht se e dënuar dhe e ekzekutuar pa gjyq në gjyqin e politikës, medias dhe rrjeteve sociale. Vonesa e këtij sqarimi të detajuar, lidhet me faktin se unë fustanët dhe bizhutë 800 mijë euro i kam marrë vesh në të njëjtën kohë me ju. Nga mediat. Ndërsa akt-akuzën qindrafaqëshe e kam marrë vetëm pasi jam akuzuar për këtë shifër tromaksëse dhe për një sërë çudirash të tjera, një ditë përpara se të shkoja në sallën e gjyqit.
Unë vij nga dy familje të njohura shqiptare. Nga familja e babait tim, kemi trashëguar toka, troje, ndërtesa, shtëpi, etj., si në Tiranë, ashtu edhe jashtë saj. Të tëra të ditura kohë e kohë më parë se sa unë të rritesha e të bëhesha bashkëshortja e Erionit. Dikur pedagog, gazetar dhe kritik arti, pas ’90-ës im atë nisi të merrej me biznes, si shumë të tjerë. Unë kam patur fatin të rritem në një ndër ato familje shqiptare të tranzicionit me mundësi shumë të mira financiare, cka mundësoi edhe mbështetjen e studimeve të mia të larta për drejtësi, master e doktorature, në Paris e Romë.
Gjithashtu, vec mundësive shumë të mira financiare të prindërve të mi, unë kam punuar që fare e re në fushën e avokatisë dhe jam paguar gjithmonë shumë mirë e vazhdoj paguhem shumë mirë. Të ardhurat e mia në vite janë të deklaruara dhe publike.
Të gjithë ata që më njohin apo që kanë punuar me mua e dijnë fort mirë se unë nuk kam orar në punë, as ditë pushimi, punoj minimalisht 12 orë në ditë, cdo ditë; të gjithë klientëve të studios së avokatisë apo bashkëpunëtorëve të mi u shkojnë emaile nga unë edhe në 2 apo 3 të mëngjesit, edhe të dielave apo edhe në mes të gushtit. E ndaj jetën mes punës dhe përkujdesjes për familjen time.
Të gjitha blerjet e mësipërme janë kryer me kartën time të kreditit dhe i konsideroj produkte të miat (them “konsideroj” sepse shumë prej tyre janë përdorur gjithashtu për videoklipe apo reklama të cilat unë kam realizuar).
Jam porositëse dhe përfituese e vetëm kësaj vlere dhe e asnjë vlere tjetër, që nuk e di pse dhe si është bashkuar, por që nuk ka asnjë lidhje me shpenzime të bëra nga unë apo të përfituara prej meje.
Këtë fakt të argumentuar me tabela financiare dhe të noterizuar me firmat e ekspertëve, do ta dorëzoj edhe pranë GJKKO dhe SPAK, me besim se e vërteta e varrosur nën malin me gurët e shpifjeve dhe fantazive do të dalë në fund.
Unë nuk kam patur KURRE ndonjë çantë Hermes apo Chanel, sikurse është thënë në gjyqin tim publik mediatik. Nuk kam as fustane apo të brendshme me vlera absurde, sikurse ndonjë gazetar/e ka thënë. Madje me këtë rast dua të them se ka qenë një përballje tejet e trishtueshme prej më shumë se nëntë orësh me prokurorin, ku kuptova se me jetën time ishte bërë një çorbë e madhe. Por s’ka krahasim me asgjë trishtimi i hidhur që të jep niveli i rrugës i disa portaleve e gazetare/ëve, që merren me fustanet apo nën fustanet e një gruaje, duke e fryrë dhjetëfish vlerën e tyre, për të diskredituar armikun si në kohën e komunizmit…
Nuk kam ndier kurrë një trishtim e dëshpërim kaq të madh. Tmerr.
Mos e provoftë askush, askujt në këtë vend nuk ia uroj, këtë mizori juridike dhe mediatike.
Zoti e faltë mosnjerzillëkun e gjithë kësaj historie dhune.
Komente