Kur u zgjuam sot, edhe pse mediat kishin njoftuar, prapë u ndjemë si para të papriturës për një çast kur i çuam sytë te ora: 60 minuta prapa.

Si çdo fund tetori ka përfunduar ora verore. Ndryshimi i akrepave 60 minuta prapa do të zgjasë deri në fundjavën e fundit të marsit.

Ndryshimi ndodhi sot në orën 03:00, duke ju mundësuar të gjithëve që këtë të dielë të flenë një orë më tepër.

Për vendet e Bashkimit Evropian, ora e gjithë zonës ndryshon në të njëjtin çast. Ndryshimi i orës në Evropë u vendos si ligj evropian në vitin 1981. Zhvendosja e akrepave në Evropën Perëndimore është vendosur në fillim të viteve ‘70-ta me shpjegimin se me këtë ‘zgjatet dita, rritet produktiviteti, përmirësohet aftësimi i njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase’.

Ora nuk ndyshon në të njëjtën kohë kudo në botë. SHBA-ja dhe Kanadaja në vitin 2007 e vendosën që llogaritja dimërore e kohës të fillojë në javën e parë të nëntorit dhe të përfundojë në javën e dytë të marsit.

E kujt ishte ideja që ora të ndryshohet? Një anglez i quajtur William Willett në vitin 1907 prezantoi idenë e ‘kohës verore’, në mënyrë që njerëzit të mos i çojnë kot orët e çmuara të dritës gjatë mëngjeseve verore. Ai e mendoi këtë ide në mënyrë që t’i nxirrte njerëzit nga shtrati më herët, duke e ndryshuar orën. Zoti Willett propozoi që ora duhet të shtyhet për 60 minuta në katër hapa progresiv gjatë muajit prill dhe në të njëjtën mënyrë gjatë muajit shtator.

William Willett pastaj kaloi pjesën tjetër të jetës së tij duke u përpjekur për t’i bindur njerëzit se skema e tij ishte e duhura.

Veritas.com.al/